Çmimi Nobel i këtij viti për mjekësinë u është dhënë shkencëtarëve David Julius (SHBA) dhe Ardem Patapoutian me origjinë libaneze. Ata vlerësohen për zbulimet e receptorëve për temperaturën dhe prekjen në trup, sipas Komitetit Nobel në Stokholm.
Njohuritë e fituara nga zbulimi do të përdoren për të zhvilluar trajtime për një sërë sëmundjesh, përfshirë dhimbjet kronike, tha Komiteti i Nobelit.
Zbulimet epokale të nobelistëve të këtij viti “na kanë mundësuar të kuptojmë se si nxehtësia, të ftohtit dhe forcat mekanike shkaktojnë impulse nervore, të cilat na lejojnë të perceptojmë dhe përshtatemi me botën përreth nesh”, thuhet në njoftim.
Sipas raportit, studiuesit përdorën qeliza të ndjeshme ndaj presionit për të zbuluar një klasë të re të sensorëve, që reagojnë ndaj stimujve mekanikë në lëkurë dhe organet e brendshme.
Julius përdori kapsaicinën, një përbërës i athët nga specat djegës, që shkakton një ndjesi djegieje, për të identifikuar një sensor në fundet nervore të lëkurës që reagon ndaj nxehtësisë.
Patapoutian-i përdori qeliza të ndjeshme ndaj presionit për të zbuluar një klasë të re të sensorëve që reagojnë ndaj stimujve mekanikë në lëkurë dhe organet e brendshme. Ai lindi në Bejrut dhe shkoi në Los Angeles në moshën e adoleshencës; ai aktualisht kryen kërkime në Scripps Research në La Jolla, Kalifornia./Motilokal.com


