Disa këshilla se si të mbrohemi nga tërmetet

Disa këshilla se si të mbrohemi nga tërmetet

Tërmetet nuk mund të parashikohen, por duhet të mësojmë si të mbrohemi prej tyre.

Institutit i Shëndetit Publik të Shqipërisë (ISHP), përmes disa rekomandimeve këshillon qytetarët se si të mbrohemi nga tërmetet.

Më poshtë ju sjellim rekomandimet e ISHP-së:

Gjeni strehim në vende të sigurta në shtëpi dhe qëndroni aty derisa të pushojë lëkundja, duke mbuluar fytyrën dhe kokën tuaj me duar.

Lëndimet më të mëdha ndodhin kur njerëzit përpiqen të dalin nga ndërtesa gjatë kohës së lëkundjes.

Pas ndalimit të lëkundjeve dilni jashtë dhe qëndroni në largësi të sigurt nga ndërtesa.

Largohuni nga xhamat, dritaret, muret e jashtme dhe dyert, dhe nga çdo gjë që mund të bjerë, siç janë llambadarët ose raftet.

Nëse jeni në shtrat, uluni pranë tij dhe mbroni kokën.

Shmangni shkallët dhe ashensorët për aq kohë sa zgjat tërmeti.

Mos përdorni ashensorin.

Mos dilni në tarracë ose në ballkon.

Nëse jeni afër ndërtesës së lartë ose brenda saj, largohuni nga xhamat dhe nga muret e jashtme.

Nëse jeni në objekte publike (shkollë, ndërmarrje, qendër tregtare, qendër për çlodhje etj) qëndroni të qetë dhe përpiquni mos t’ju kapë paniku. Rrini larg nga masa e njerëzve të cilët i ka kapur paniku dhe që janë nisur në drejtim të daljeve.

Duhet të jeni të vetëdijshëm se mund të ndërpritet rryma elektrike, dhe alarmet (kundër zjarrit dhe të tjera) mund të kyçen.

Gjithnjë duhet të keni të përgatitur llambën me bateri dhe tranzistorin me bateri rezervë.

Menjëherë kyçni të gjitha burimet e energjisë elektrike, gazit dhe ujit, derisa të qetësohet lëkundja.

Nëse shkaktohet zjarr, përpiquni ta fikni atë, si dhe njoftoni njësinë vendore të zjarrëfikëseve.

Nëse është e nevojshme dhe nëse keni mundësi bashkojuni ekipeve për shpëtim, merrni pjesë në kërkimin dhe dhënien e ndihmës për viktimat e ndodhura nën gërmadhat e objekteve të rrënuara. /Motilokal.com