FSK-ja niset për t’i dalë në ndihmë Republikës së Shqipërisë pas tërmetit

FSK-ja niset për t’i dalë në ndihmë Republikës së Shqipërisë pas tërmetit

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Rrustem Berisha, pas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë, ka shprehur ngushëllimet për humbjen e njerëzve, dhe menjëherë ka dhënë urdhër për nisjen e një kontingjenti të FSK-së, për tu dalë në ndihmë qytetarëve të Shqipërisë.

“Sapo jam informuar edhe zyrtarisht nga autoritetet shqiptare për tërmetin dhe pasojat e tërmetit në Shqipëri. Fatkeqësisht, tërmeti ka shkaktuar edhe humbje jetësh dhe dëmtime të mëdha materiale. Ne shprehim ngushëllime dhe keqardhje familjarëve të viktimave dhe Qeverisë së Shqipërisë, duke treguar gatishmërinë tonë për dhënë ndihmë në këtë situatë. Si Ministri dhe FSK, kemi dhënë urdhër për nisjen e menjëhershme njësisë së kërkim-shpëtimit të Gardës Kombëtare të Kosovës për në zonat e prekura nga tërmeti“, thuhet në mesazhin e Ministrit Berisha. 

Pas marrjes së urdhrit nga Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, një kontingjent i Taskë Forcës së Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së, për kërkim-shpëtim urban, i pajisur me mjetet teknike të specializuara, u nisën sot në mëngjes për t’i ndihmuar autoritet shqiptare dhe banorët shqiptarë, me qëllim të përballimit të situatës së krijuar pas goditjes së tërmetit në disa vendbanime të saj.

Kontingjenti i FSK-së, përbëhet nga 3 ekipe të Kërkim–Shpëtimit Urban, një ekip K-9, (njësi e përgatitur e qeneve) për situata të tilla, Ekipi i komunikimit, Policia ushtarake e FSK-së dhe ekipi i Mjekësisë.

 Lidhur me situatën pas tërmetit në Shqipëri, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, njoftoi: “Varësisht prej nevojave që do të paraqiten në terren, ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi me kapacitete shtesë”. /Motilokal.com

Image may contain: mountain, outdoor and nature