16 Tetor - Dita Botërore e Ushqimit

16 Tetor - Dita Botërore e Ushqimit

Dita Botërore e Ushqimit kremtohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) çdo vit në datën 16 tetor (datë kur u krijua FAO në 1945). Kjo ditë organizohet që prej vitit 1981 dhe synon të sensibilizojë politikëbërësit mbi rëndësinë e ushqimit dhe rolin e tij në shëndetin dhe mirëqenien e individit dhe zhvillimin e mbarë kombeve.

Çdo vit, tema është e ndryshme, por gjithnjë ka për qëllim të sensibilizojë në drejtim të përmbushjes së Objektivave të Mijëvjeçarit për zhdukjen e urisë dhe varfërisë, si dhe uljen e vdekshmërisë dhe përmirësimin e shëndetit mes fëmijëve dhe grupeve vulnerabël.

Këtë vit theksi i Ditës Botërore të Ushqimit është festimi i heronjve të ushqimit ose individëve që kanë kontribuar në ndërtimin e një bote të qëndrueshme ku askush nuk ka pse të mbetet i uritur. Ideja është që të kontribuojmë në ndërtimin e një bote pa uri.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ushqyerja është sasia e ushqimit të marrë për furnizimin me materiale ndërtuese dhe burime energjie të nevojshme për funksionimin normal te organizmit human. Ushqyerja e ekuilibruar dhe e përshtatshme e kombinuar me aktivitet fizik të rregullt, janë guri i themelit për një shëndet të mirë dhe njëherësh mjete shumë efikase për parandalimin e shumë sëmundjeve dhe për trajtimin e disa të tjerave. Sigurimi i një ushqyerje të shëndetshme dhe të sigurt gjatë viteve të para të jetës ka përfitime për gjithë jetën.

Kequshqyerja ndodh kur trupi nuk merr sasinë e nevojshme të energjisë (kalorive), proteinave, karbohidrateve, yndyrave, vitaminave, mineraleve dhe lëndëve të tjera të nevojshme për të mbajtur të shëndetshëm organizmin dhe për funksionimin e mirë të tij. Kequshqyerja tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël është një faktor kyç themelor jo vetëm për vdekshmërinë foshnjore dhe fëminore, por ndikon edhe tek zhvillimi fizik dhe mendor në moshë shumë të re. Ushqyerja e pakët mund të çojë në ulje të imunitetit dhe rritjen e mundësisë për t’u sëmurë, zhvillim të dobët fizik dhe mendor, ulje të produktivitetit dhe përqendrimit në shkollë, prishje të dhëmbëve etj. Rreth 20% e vdekjeve të fëmijëve nën 5 vjeç në të gjithë botën mund të evitohet nga zbatimi korrekt në praktikë i udhëzuesve të ushqyerjes sipas OBSH.

Njohuritë e sotme shkencore evidentojnë lidhjen mes kequshqyerjes dhe disa patologjive si tumoret, sëmundjen ishemike të aparatit kardio-vaskular dhe cerebro-vaskular, diabetit melit tip 2, artrozave, osteoporozes, litiazes biliare, kariesit dentar, gushës jodike dhe anemisë sideropenike nga ulja e marrjes së hekurit. Në vitet e fundit vihet re rritja drastike e obezitetit dhe marrja e një diete ushqimore gjithnjë e më hiper kalorike.

Gratë shtatzëna me kequshqyerje kanë rrezikshmëri më të lartë për të dështuar, ose për lindur një foshnje me peshë të vogël lindjeje. Ushqim i mirë midis grave, shoqëruar me përmirësimin e njohurive mbi ushqimin dhe të ushqyerit, qëndrimet dhe praktikat nga gratë, vajzat dhe anëtarët e tjerë të komunitetit lidhur me ushqimin dhe ushqyerjen e shëndetshme, ndikojnë në fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore, zvogëlimin e vdekshmërisë foshnjore dhe sëmundshmërisë në mënyrë të konsiderueshme, përmirësimin e shëndetit të nënës dhe të luajnë një rol vendimtar në parandalimin e sëmundjeve.

Mbiushqyerje konsiderohet kur një person është mbipeshë ose i dhjamosur. Kjo mund të shkaktojë diabet në fëmijëri dhe sëmundje të zemrës, të rruazave të gjakut dhe sëmundje të tjera në moshë më të rritur. Ndodh shpesh që fëmijët të marrin sasi të mëdha të ushqimeve hiperenergjike, por të varfra në elementët e domosdoshëm ushqyes, p.sh pije të ëmbëlsuara artificialisht, ëmbëlsira, patatina, të skuqura, fast-food etj. Në këto raste përmirësimi i dietës së fëmijës është i domosdoshëm dhe duhet të shoqërohet me shtimin e aktivitetit fizik.

Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithsecilit./Motilokal.com