Lezha me performancën më të mirë në menaxhimin e mbeturinave

Lezha me performancën më të mirë në menaxhimin e mbeturinave

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka marrë lavdata nga kryeministri Edi Rama sa i përket pastërtisë së qytetit.

Ndreu tha se ne dolëm bashkia më e mirë vitin e kaluar, por sivjet dolëm akoma dhe më mirë.

Ai u shpreh se pavarësisht performancës së mirë me menaxhimin e mbetjeve, ka akoma shumë punë për të bërë dhe ka ende disa problematika të pazgjidhura në zonat rurale të Lezhës.

 “Mendoj se ka akoma punë për të bërë, nuk jam i kënaqur besoj se duhet akoma më mirë. Në zonat turistike duhet të ketë një pastërti shembullore, duke vendosur orare ku detyrohen bizneset që të dalin me qeset e mbeturinave. Më vjen mirë për komplimentet e Kryeministrit, pasi jemi bashki ekselente, por nuk është një situatë perfekte”, tha ai.

Ndreu tha se në Lezhë kemi një revolucion që ka ecur para.

“Gjithsesi kemi ende problematika për t’i zgjidhur në zonat rurale dhe ne kemi bërë një skemë për të ndërtuar një sistem shumë të fortë në zonat rurale për të menaxhuar mbetjet. Kjo ka të bëjë edhe me edukatën qytetare, por ne kemi marrë edhe nxënësit ekselentë të qytetit të Lezhës për të bërë pastrime. Mendoj se qytetarët e Lezhës janë model”, tha ai.

Ndreu tha se “Lezha është zonë turistike, ku janë të ndërthurura turizmi detar, religjioz, historik dhe malor dhe Lezha ka kulinarinë në nivele të larta”.

“Problemi që ne kemi janë akset nacionale të rrugëve. Nuk na takojnë ne, por kompanitë koncesionare që merren me atë punë duhet të bëjnë diçka. Tani ose duhet të shtojmë punonjësit ose nuk vazhdojmë dot kështu. Sepse është e pafalshme që ne të kemi të gjithë territorin e pastër, ndërsa kur vjen puna tek akset nacionale gjendja të mos jetë aq e mirë”, tha Ndreu./Motilokal.com