Rriten shitjet e veturave elektrike në Bashkimin Evropian

Rriten shitjet e veturave elektrike në Bashkimin Evropian

Shitjet e automjeteve elektrike kohët e fundit sa vijnë dhe rriten. Në Bashkimin Evropian në tremujorin e tretë të këtij viti një në pesë vetura që është shitur ka qenë elektrike.

Të dhënat janë publikuar nga Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automjeteve, e cila përfaqëson prodhuesit kryesorë evropianë të veturave, kamionëve, furgonëve dhe autobusëve.

Sipas kësaj shoqate shitjet e modeleve elektrike dhe ato hibride në të gjithë Bashkimin Evropian kanë arritur në gati 20 për qind të tregut.

Shitjet e automjeteve elektrike me bateri u rritën me gati 57 për qind, ndërsa modelet hibride u rritën gati 43 për qind, krahasuar me muajt e shkuar.

Sipas statistikave kjo rritje është e ngadalshme, krahasuar me një vit më parë kur blerjet e makinave elektrike u trefishuan.

Më pak se një dekadë më parë, veturat me naftë përbënin më shumë se 50 për qind të shitjeve në BE, por përbënin nën 18 për qind të të gjitha veturave të shitura në tremujorin e tretë.

Përveçse duhet të përmbushin objektivat e reja të BE-së për emetimet e karbonit, prodhuesit dhe konsumatorët e veturave kanë përfituar nga subvencionet e qeverisë për automjetet elektrike.

Komisioni Evropian ka propozuar gjithashtu një ndalim efektiv të automjeteve me lëndë djegëse fosile nga viti 2035, duke synuar të përshpejtojë kalimin në automjetet elektrike me emetim zero, si pjesë e një pakete të gjerë masash për të luftuar ngrohjen globale./Motilokal.com