Automjete të drejtuara nga distanca

Automjete të drejtuara nga distanca

Të marrësh një automjet me qera në ditët e sotme nëpërmjet telefonit celular nuk është e pazakontë. Një kompani në Las Vegas nëpërmjet teknologjisë së përdorur mund t’i dërgojë automjetet tek klientët pa patur nevojë për një shofer.

Në ditët e sotme për të bërë një udhëtim mund të kërkosh një automjet nëpërmjet telefonit celular dhe kjo nuk është e pazakontë.

Përveç rastit kur automjeti nuk ka nevojë për një drejtues, pra mund të shkojë vetë tek klientët.

“Po tërheqin shumë vëmendje. Të gjithë duan t’i shikojë këto automjete, t’i prekin, të provojnë këtë ndjesi”, thotë Anand Nandakumar, themelues i kompanisë “Halo”

“Halo”, është një kompani që ofron automjete të cilat nuk kanë nevojë për një drejtues. Janë elektrike, gjysmë-autonome dhe mund të kontrollohen nga distanca.

Këto automjete mund të përdoren nga qytetarët në Las Vegas, të Nevadës, ndërsa kompania ka krijuar një qendër ku rrinë shoferët që i drejtojnë nga të paktën 50 kilometra largësi.

“Ne po blejmë automjete elektrike, më pas iu vendosim atyre sensorë dhe një sistem drejtimi që na mundëson të bëjmë punën nga distanca”, thotë zoti Nandakumar për VOA.

Por cila është pjesa më e rëndësishme e makinës? Sipas drejtueseve të kompanisë janë kamerat e instaluara që iu japin shoferëve që i drejtojnë nga distanca mundësi të kenë pamje në 360 gradë.

Një rol të rëndësishëm ka dhe rrjeti 5G i kompanisë T-Mobile.

“Për mua, kjo është një mënyrë për të treguar dhe demonstruar fuqinë e rrjetit 5G”, thotë zoti John Saw, drejtues në kompaninë T-Mobile.

Në momentin që automjeti shkon tek klienti, është ky i fundit që më pas merr drejtimin. Ekspertët thonë se ky është një hap i vogël drejt të ardhmes ku makinat plotësisht autonome mund të jenë më të përhapura.

Tani për tani, themeluesi i kompanisë “Halo” thotë se ky eksperiment mund të rrisë besimin e konsumatorit.

“Ekziston një mosbesim tek njerëzit për mjetet e transportit në të ardhmen, ku të gjitha automjetet potencialisht do të jenë pa shofer dhe autonomë. Pra, që ne të ndërtojmë atë besim, duhet të fillojmë diku”, thotë Anand Nandakumar, themelues i kompanisë Halo.

Ky lloj shërbimi eliminon po ashtu edhe një problem tjetër: parkimin.

“Kur ju të keni mbaruar punë, thjesht dil nga automjeti dhe mbyll derën. Më pas ne do ta drejtojmë atë”, thotë themeluesi i kompanisë “Halo”./Motilokal.com