Eksportuesi më i madh i naftës në botë, Arabia Saudite pritet të ulë emetimet e karbonit deri në vitin 2060

Eksportuesi më i madh i naftës në botë, Arabia Saudite pritet të ulë emetimet e karbonit deri në vitin 2060

Eksportuesi kryesor i naftës së papërpunuar, Arabia Saudite synon të arrijë emetimet zero neto të karbonit deri në vitin 2060, tha sundimtari i saj, disa ditë përpara samitit global të klimës COP26.

Arabia Saudite është një nga ndotësit më të mëdhenj në botë, e cila po bënë përpjekje për të ulur emetimet e metanit në 30% deri në vitin 2030.

"Unë shpall sot objektivin e Arabisë Saudite për të arritur emetimet zero neto deri në vitin 2060 përmes qasjes së saj të ekonomisë rrethore të karbonit", tha Princi i Kurorës Mohammed bin Salman (MBS) në fjalimin e tij në forumin "Saudi Green Initiative".

“Kam kënaqësinë të nis iniciativat në sektorin e energjisë që do të reduktojnë emetimet e karbonit me 278 milionë ton në vit deri në vitin 2030, duke e dyfishuar kështu vullnetarisht objektivin e shpallur, të vlerësuar në 130 milionë ton në vit”, tha MBS.

Arabia Saudite ka premtuar se do të kontribuojë në uljen e emetimeve si pjesë e angazhimit të saj për të ofruar një të ardhme më të pastër dhe më të gjelbër.

Njoftimet vijnë një ditë pasi shefi i OKB-së Antonio Guterres tha se situata aktuale e klimës ishte "një biletë me një drejtim për fatkeqësitë natyrore", duke theksuar nevojën për të "shmangur një dështim" në konferencën klimatike COP26 në Glasgow.

Në mars, Arabia Saudite zbuloi një fushatë gjithëpërfshirëse për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe për të reduktuar emetimet e karbonit, duke përfshirë një plan për të mbjellë miliarda pemë në dekadat e ardhshme.

Mbështetësi i OPEC-ut synon të zvogëlojë emetimet duke gjeneruar gjysmën e energjisë së tij nga burimet e rinovueshme deri në vitin 2030, kishte deklaruar MBS.

Arabia Saudite aktualisht shfrytëzon naftën dhe gazin natyror për të përmbushur kërkesën e saj për energji dhe për të shkripëzuar ujin e saj, i cili konsumon sasi të mëdha nafte çdo ditë./Motilokal.com