Parisi po investon 250 milionë euro për t'u bërë 100 për qind ‘qytet i biçikletave’

Parisi po investon 250 milionë euro për t'u bërë 100 për qind ‘qytet i biçikletave’

Parisi dëshiron të bëhet një nga qytetet më miqësore me mjedisin në Evropë, me planet për ta kthyer vendin në një "qytet të biçikletave" deri në vitin 2026.

Kryeqyteti francez po investon 250 milionë euro në përmirësimin e infrastrukturës për biçikleta brenda katër viteve të ardhshme. Mijëra stenda të reja për biçikleta dhe një numër i shtuar i rrugëve të mbrojtura të biçikletave do të prezantohen si pjesë e "Plan Velo: Akti 2".

Që nga ky vit, Parisi ka tashmë më shumë se 1,000 kilometra shtigje të sigurta për biçikleta, duke përfshirë rreth 52 kilometra të “pistës korona” që u prezantuan përkohësisht gjatë pandemisë. Tani planifikon t'i bëjë këto të përhershme dhe të shtojë 130 kilometra shtigje të tjera të sigurta për të inkurajuar njerëzit të përdorin biçikletat në qytet.

Synimi është që të mundësohet kalimi i sigurt me biçikletë nga një skaj i Parisit në tjetrin.

Zyrtarët e Parisit shpresojnë ta bëjnë më të lehtë kalimin nëpër qytet me biçikletë duke futur rrugë që kalojnë qytetin dhe dalin në periferi përreth. Vendet ku çiklistët vihen në rrezik duke kaluar rrugët e ngarkuara dhe pikat kyçe të hyrjes në qendër të qytetit do të bëhen gjithashtu më të sigurta.

Qyteti gjithashtu raportoi se në vitin 2020, vjedhjet e biçikletave u rritën me 7 për qind dhe rreth 80 për qind e njerëzve nuk duan të kenë biçikletat nga frika se mos u vidhen.

Kryetarja e bashkisë së Parisit Anne Hidalgo u zgjodh për një mandat të dytë në qershor të vitit të kaluar, pasi futi në qytet një sërë masash pro-çiklistike dhe miqësore për këmbësorët. Parisi ka shpenzuar tashmë 150 milionë euro për një plan fillestar për biçikleta që u vlerësua si fillimi i një "revolucioni" për qytetin.

"Ky plan çiklizmi është një nga shtyllat thelbësore të transformimit ekologjik dhe social që ne po udhëheqim në Paris", shkroi në Twitter David Belliard, nënkryetar i bashkisë përgjegjës për transformimin urban.

Që nga viti 2015, qyteti mban një "ditë pa makina" ku pjesa më e madhe e trafikut hiqet nga qendra e tij e ngarkuar. Rrugët duke përfshirë rrugën Champs-Élysées janë të mbushura me këmbësorë dhe çiklistë. Ngjarja vjetore synon të frenojë përdorimin e automjeteve dhe ndotjen në Paris./Motilokal.com