Shqyrtohet raporti vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë

Shqyrtohet raporti vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Infrastrukturë, mbajti mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Fitore Pacolli- Dalipi, kryetare në të cilën u shqyrtua Raporti vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2020.

Para anëtarëve të komisionit raportin e prezantuan, zëvendësministrja e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Linda Çavdarbasha, dhe udhëheqësi i Drejtorisë për Vlerësimin e Gjendjes së Mjedisit në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Afrim Berisha.

Përfaqësuesit nga MMPHI vunë në dukje shqetësimet lidhur me ndotjen dhe cilësinë e ajrit, si dhe atë të ujit, që vazhdon të jetë e ndikuar nga ndotja e që vjen si pasojë e shkarkimeve të ujërave urbane industriale, hedhjes së mbeturinave në lumenj etj.

U prezantuan të gjeturat e raportit edhe për zonat e mbrojtura dhe biodiversitetin, menaxhimin e mbeturinave, shëndetin publik, shfrytëzimin i resurseve natyrore si dhe masat e ndërmarra të ministrisë lidhur me përmirësimin e gjendjes së mjedisit.

Anëtarët e komisionit shtruan pyetje dhe ngritën shqetësimet e tyre lidhur me numrin e licencave të gurëthyesve, dëmtimin e pyjeve, vetëdijesimin e qytetarëve përkitazi me ndotjen e mjedisit, gjendjen e deponive, masat për parandalimin e ndotjes së ajrit etj.

Pyetjeve të deputetëve iu përgjigjën zëvendësministrja Çavdarbasha dhe Berisha nga Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, duke dhënë sqarimet e nevojshme.

Pas diskutimeve, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Infrastrukturë e përkrahu Raportin vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2020, duke e proceduar tutje në Kuvend për shqyrtim dhe diskutim të mëtejmë./Motilokal.com