Presidenti Biden në Romë për takimin G-20 dhe konferencën për klimën

Presidenti Biden në Romë për takimin G-20 dhe konferencën për klimën

Presidenti Joe Biden ndodhet në Romë, ku do të marrë pjesë në takimin e udhëheqësve të vendeve anëtare të G-20-ës. Ai do të shkojë më pas në Skoci, për të marrë pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara, u hedh një vështrim çështjeve kryesore që do të shqyrtojnë udhëheqësit botërorë.

Roma është gati për takimin e udhëheqësve të G-20. Por presidenti kinez Xi Jinping dhe ai rus Vladimir Putin nuk do të jenë të pranishëm fizikisht, duke i krijuar një mundësi të mirë Presidentit Joe Biden.

“Amerika dhe Evropa do të jenë atje. Plot energji dhe të bashkuar si në G-20 ashtu edhe konferencën e klimës, duke përcaktuar agjendën”, tha Jake Sullivan, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare.

Por nuk do të jetë e lehtë. Zoti Biden duhet të rikthejë kredibilitetin e Uashingtonit pas tërheqjes problematike nga Afganistani dhe acarimit me Parisin rreth marrëveshjes për nëndetëset me Australinë.

Leslie Vinjamuri drejton programet për Shtetet e Bashkuara në Institutin Mbretëror për Marrëdhëniet Ndërkombëtare me qendër në Londër dhe që njihet si Chatham House. Ajo foli me VOA news përmes rrjetit Skype.

“Në thelb është rindërtimi i partneritetit transatlantik pas një gushti shumë të vështirë, me daljen nga Afganistani dhe reagimin evropian ndaj situatës. Bëhet fjalë për çështje konkrete. Klima, marrëveshja për taksën minimale globale për korporatat dhe ristrukturimi i borxhit janë vërtet të rëndësishme.”

Presidenti Biden do të theksojë angazhimin për uljen e emetimeve deri në vitin 2030 në rreth 50% nën nivelet e vitit 2005. Por udhëheqja globale amerikane për këtë çështje varet edhe tek axhenda e brendshme të presidentit për klimën përfshirë tek paketa për shpenzimet në infrastrukturë dhe çështjet sociale, që aktualisht ka ngecur në Kongres.

Matthew Goodman i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“Presidenti, për fat të keq, nuk do të jetë në një pozitë të fortë për të nxitur vendet e tjera për angazhime të mëtejshme, më ambicioze për klimën.”

Transformimi gradual nga përdorimi i qymyrit është një mosmarrëveshje kryesore, po ashtu edhe premtimi i vendeve të pasura për të ofruar 100 miliardë dollarë në vit në financime pë klimën, për të ndihmuar vendet në zhvillim të pakësojnë emetimet dhe të zbusin ndikimet e ndryshimeve klimatike.

Ye Min është Zëvendësministër i Ekologjisë dhe Mjedisit të Kinës.

“Në kontekstin e zbatimit zyrtar të Marrëveshjes së Parisit, këto çështje do të ndikojnë në besimin e ndërsjellë politik dhe aftësinë e vendeve në zhvillim për të ndërmarrë veprime në lidhje me klimën”./Motilokal.com