Greta Thunberg apel bankave: Mos financoni në ‘shkatërrimin’ e klimës

Greta Thunberg apel bankave: Mos financoni në ‘shkatërrimin’ e klimës

Greta Thunberg u ka bërë thirrje bankave të "ndalojnë financimin e shkatërrimit tonë", përpara samitit të klimës COP26 në kuadër të OKB-së.

Aktivistja suedez e ndryshimeve klimatike ndodhet në Londër për të marrë pjesë në protesta për të kërkuar që sistemi financiar të ndalojë financimin e projekteve të karburanteve fosile.

Ajo i tha Andrew Marr të BBC-së se "ndryshimi është i mundur" në samit, nëse vazhdon presioni mbi politikanët.

Por ajo shtoi se nuk është ftuar “zyrtarisht” për të folur në ngjarjen në Glasgow.

Demonstratat kundër investimeve në projektet e karburanteve fosile vijnë ndërsa liderët botërorë mblidhen në qytetin skocez përpara hapjes së COP26 të dielën.

Protesta në Londër është pjesë e një serie që zhvillohet të premten në qendrat financiare në mbarë botën, duke përfshirë Nju Jorkun, San Francisko dhe Nairobin.

Në konferencën COP26 do t'u kërkohet më shumë se 200 vendeve të përcaktojnë planet e tyre për të ulur emetimet e gazrave serrë deri në vitin 2030.

Samiti shihet si vendimtar nëse vendet do të zbatojnë një premtim të bërë në vitin 2015 për të mbajtur ngrohjen globale "nën 2 gradë Celsius" mbi nivelet para-industriale.

Si vend pritës, Britania e Madhe është nën presion për t'i detyruar ata të ndërmarrin angazhime ambicioze për të reduktuar emetimin e gazrave serrë.

Thunberg konfirmoi se do të udhëtojë në Glasgow për t'iu bashkuar protestave klimatike që do të zhvillohen gjatë samitit./Motilokal.com