Biden i zhgënjyer me Kinën dhe Rusinë pasi nuk morën angazhime të reja për klimën

Biden i zhgënjyer me Kinën dhe Rusinë pasi nuk morën angazhime të reja për klimën

Presidenti i SHBA-së Joe Biden deklaroi të dielën se ishte i zhgënjyer nga mosmarrja e angazhimeve të reja për klimën nga Kina dhe Rusia.

"Jo vetëm Rusia, por edhe Kina, në thelb nuk shfaqën ndonjë angazhim për t'u marrë me ndryshimet klimatike", tha Biden në një konferencë shtypi në fund të Samitit të Liderëve të G20-tës në Romë të Italisë.

"Prandaj ka një arsye pse njerëzit duhet të jenë të zhgënjyer në këtë. Edhe unë jam i zhgënjyer", shtoi presidenti amerikan.

Më herët gjatë ditës, udhëheqësit e 20 vendeve më të pasura të botës përsëritën angazhimin e tyre ndaj objektivit të Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015 për të kufizuar temperaturën mesatare globale në 1.5 °C mbi nivelet para-industriale.

Biden do të marrë pjesë gjithashtu në samitin e liderëve botërorë në fillimin e Konferencës së 26-të të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, e njohur si COP26, sot në Glasgow të Skocisë. Por presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping nuk do të marrin pjesë personalisht, raporton Anadolu.

"Ne aprovuam një sërë gjërash këtu për t'i dhënë fund subvencionimit të qymyrit. Morëm angazhime këtu nga i gjithë bordi, të gjithë ne, në lidhje me atë që do të sjellim në COP26", tha presidenti i SHBA-së.

"Gjërat nuk mund t'i dimë pa i provuar. Mendoj se do të shihni se kemi bërë përparim të rëndësishëm dhe duhet bërë më shumë. Do të duhet të vazhdojmë të fokusohemi në atë që nuk po bën Kina, atë që nuk po bën Rusia, dhe atë që nuk po bën Arabia Saudite”, shtoi ai./Motilokal.com