Lufta ndaj ndryshimeve klimatike, Shqipëria me angazhime konkrete në Konferencën e COP26

Lufta ndaj ndryshimeve klimatike, Shqipëria me angazhime konkrete në Konferencën e COP26

Shqipëria po merr pjesë në Konferencën e Klimës në Glasgou, Skoci, një ndër ngjarjet më të rëndësishme globale, që zhvillohet nga 31 tetori deri në 12 nëntor.

Kjo konferencë organizohet nga Britania e Madhe në partneritet të ngushtë me Italinë dhe  marrin pjesë mijëra personalitete nga 200 vende të botës: udhëheqës shtetesh, drejtues organizatash, gazetarë, negociues dhe aktivistë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro thekson se “nga Glasgou mund të vijnë ndryshime të mëdha për jetën tonë prandaj jemi pjesë me angazhime konkrete. Kapriçot e motit dhe kokëfortësia e fakteve shkencore nuk na lënë asnjë dyshim se ndryshimet klimatike duhen mbajtur nën kontroll”.

“Vendet në zhvillim si Shqipëria kanë tendencën të ndotin më pak, e nuk janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të emetimeve në të kaluarën, por gjithsesi përjetojnë goxha nga efektet më të këqija të ndryshimit klimatik. Shqipëria ka nisur angazhimin aktiv me partnerët ndërkombëtarë dhe komunikimin intensiv për të bërë pjesën e saj në këtë përpjekje të madhe globale”, theksoi Kumbaro.

Më tej Kumbaro shprehet se vendimet e marra në COP26 në Glasgou mund të sjellin kalim më të shpejtë te makinat elektrike, përshpejtim i heqjes nga përdorimi të energjisë nga qymyri, reduktim i prerjes së pemëve dhe mbrojtja e më shumë njerëzve nga impaktet e ndryshimit klimatik.

Sipas saj, Britania do të kërkojë që vendet pjesëmarrëse të mbështesin deklaratën për arritjen e nivelit neto zero të emetimeve deri në vitin 2050 dhe të kenë kryer reduktime të mëdha deri në 2030.

“Shumë prej zotimeve që do të bëhen në Glasgou do të ndikojnë patjetër në jetët tona, ndaj jemi pjesëmarrës në këtë moment të veçantë e kritik njëkohësisht për gjithë botën”, ka deklaruar Kumbaro./Motilokal.com