Elizabeth II kërkon nga liderët botëror të ‘ngrihen mbi politikën’ për të zgjidhur krizën klimatike

Elizabeth II kërkon nga liderët botëror të ‘ngrihen mbi politikën’ për të zgjidhur krizën klimatike

Mbretëresha e Britanisë, Elizabeth II, në konferencën e Kombeve të Bashkuara (OKB) mbi ndryshimet klimatike (COP26), ka deklaruar se shpreson të shohë liderët botëror “të ngrihen mbi politikën dhe të arrijnë aftësi politike” në zgjidhjen e krizës klimatike me të cilën përballet planeti tani.

Në një video-mesazh në samitin COP26 në kryeqytetin skocez Glasgow, mbretëresha 95-vjeçare, mbretërimi i të cilës filloi pas Luftës së Dytë Botërore, u tha liderëve botëror se “historia ka treguar se kur kombet bashkohen për kauzën e përbashkët, gjithmonë ka vend për shpresë”.

“Bota ka mundësi për t’u bashkuar në objektivin e përbashkët për të krijuar një të ardhme më të sigurt, më të qëndrueshme për njerëzit tanë dhe për planetin nga i cili ne varemi. Askush nga ne nuk i nënvlerëson sfidat përpara, por historia ka treguar se kur kombet bashkohen, gjithmonë ka vend për shpresë. Duke punuar krah për krah, ne kemi aftësinë për të zgjidhur problemet më të pakapërcyeshme dhe për të triumfuar mbi fatkeqësitë më të mëdha”, deklaroi mbretëresha Elizabeth II, transmeton agjencia e lajmeve Anadolu.

Mesazhi i mbretëreshës u regjistrua pasi, siç u njoftua, me këshillën e mjekëve të saj ajo nuk mundi të marrë pjesë në konferencën COP26.

Takimi COP26 do të vazhdojë deri më 12 nëntor me panele të shumta, takime dhe ngjarje anësore, të gjitha në kërkim të zgjidhjes për të reduktuar nivelet e ngrohjes globale duke e mbajtur atë në 1.5 gradë Celsius.

Mbi 25 mijë delegatë nga afër 200 vende janë të pranishëm në konferencën COP26 në Glasgow, ku në dy ditët e para do të mbahen seanca të ndjekura nga shumë liderë botëror./Motilokal.com