Shkretëtira e parë evropiane, qindra bagëti gjenden të ngordhura në jug të Rusisë

Shkretëtira e parë evropiane, qindra bagëti gjenden të ngordhura në jug të Rusisë

Pas çdo vere, Svetlana Bodzhaeva bën një udhëtim katër orë me makinë duke përshkuar rrugët me plot pengesa. Ajo përshkon stepat e republikës jugore të Rusisë të Kalmykia për të inspektuar dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatik.

Bodzhaeva, eksperte për menaxhimin e tokës së thatë, inspekton shkurret e mbjella nga ekipi i saj në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e dunave që rrethojnë qytetin e Berginit, i populluar nga disa qindra njerëz, kryesisht blegtorë. Të mbështetura nga një valë thatësire gjatë stinës së verës, dunat e rërës kanë pushtuar vitet e fundit gjithnjë e më shumë stepat e zonës në atë që disa ekspertë e quajnë “shkretëtira e parë e Evropës”.

“Këtu duhet të ketë zona të hapura me rërë. Tani shkurret e mbjella Calligonum kanë bërë punën e tyre, kanë ndaluar lëvizjen e rërës. Kjo vatër shkretëtirëzimi do ta kishte mbuluar tërësisht fshatin Bergin me rërë brenda pak vitesh. Mund të thuash se e shpëtuam fshatin nga rëra”, thotë Svetlana Bodzhaeva, eksperte e menaxhimit të tokës, transmeton euronews.

Të shtyrë nga erërat, ata shpesh kapërcejnë disa rrugë që të çojnë në fshat, duke i lënë vendasit të shkëputur nga bota e jashtme. Ndërsa Rusia përgatitet për samitin e klimës COP në Glasgoë, politikëbërësit e saj do të kenë parasysh Bergin si një nga qindra qytetet në të gjithë vendin që kërcënohen nga rritja e temperaturave, nga Arktiku verior deri në brezin jugor. Për shkak të gjerësisë së saj veriore, ekspertët thonë se temperaturat në Rusi po ngrohen me dyfishin e mesatares globale, duke i vendosur shumë nga njerëzit e saj në vijën e parë të betejës botërore kundër ndryshimeve klimatike. Sipas Alexander Kladiev, ekspert veteran i thatësirës, dunat janë të nxitura nga erozioni i tokës i shkaktuar nga mbikullotja.

“Problemi i shkretëtirëzimit është vërtet i madh për shkak të dy viteve të fundit që kanë qenë të thata; kullotja e tepërt nga bagëtia që tejkalon çdo normë; dhe më e rëndësishmja, kullotat nuk po rinovohen”, thotë Alexander Kladiev, ekspert i dherave dhe thatësirës.

Bagëtitë e shumta të rajonit shkelin tokën e brishtë, duke e lënë atë të pambrojtur ndaj elementeve dhe duke penguar që bimët të lëshojnë rrënjë. Blegtoria është një shtyllë tradicionale e ekonomisë lokale. Vendasit tregojnë për thatësirën që ndodhi në verën e vitit 2020 si më e keqja në dekada; me mijëra bagëti të ngordhura nëpër stepë për shkak të mungesës së ushqimit pas muajsh të tërë pa shi.

“Ishte e tmerrshme të shikoje bagëtinë. Ata kërkonin bar, por nuk kishte fare. Kur ecje me makinë në stepë do të shihje trupat e pajetë të kuajve, lopëve, deveve, të shtrira kudo. Ishte me të vërtetë e frikshme”, shprehet Ulyumdzhi Mukabenov, bari.

Për të ndihmuar barinjtë të kapërcejnë thatësirën, qeveria rajonale shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe siguroi rreth 562 milionë rubla ndihmë. Muajin e kaluar, qeveria ruse hartoi një strategji më agresive; për herë të parë vendosi një objektiv neto të emetimeve zero të karbonit deri në vitin 2060./Motilokal.com