Kuvendi i Kosovës pa shishe dhe gota të plastikës

Kuvendi i Kosovës pa shishe dhe gota të plastikës

Në javën evropiane për reduktimin e mbeturinave sot Komisioni për Mjedis mori vendim t’i rekomandoj Kryesisë së Kuvendit largimin e tërësishëm nga përdorimi të shisheve dhe gotave të plastikës, ka njoftuar deputetja Fitore Pacolli.

Kuvendi i Kosovës për një muaj, duke llogaritur vetëm sasinë minimale, konsumon minimum 4600 shishe të plastikës ujë dhe përdor minimum 4600 gota të plastikës.

Ajo bën të ditur se komisioni i rekomandon Kryesisë së Kuvendit që të ndaloj tërësisht shërbimin e ujit me shishe të plastikës duke zëvendësuar ato me shishe të qelqit si hap i parë dhe lehtë i implementueshëm.

“Ndërsa, si hap të dytë të instaloj çezme nëpër hapësirat e Kuvendit duke krijuar qasje në ujë të pijes që furnizohet nga ujësjellësi KRU “Prishtina” për deputetët dhe të gjithë punëtorët dhe vizitorët e Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar deputetja Pacolli.

Më tej deputetja Pacolli ka theksuar se kjo përveç se do të ndihmoj në reduktimin e mbeturinave e rrjedhimisht në mbrojtjen e mjedisit do të ulë edhe shpenzimet e Kuvendit  rreth 25,000.00 në vit.

Parlamenti Evropian nga viti 2018 ka larguar tërësisht përdorimin e produkteve të plastikës. Njësoj ka vepruar edhe Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar./Motilokal.com