Zara, Prada, Adidas e Nike - Markat botërore të modës kontribuues të shpyllëzimit në Amazonë

Zara, Prada, Adidas e Nike - Markat botërore të modës kontribuues të shpyllëzimit në Amazonë

Hulumtimi i ri në zinxhirët e furnizimit global të industrisë së modës tregon se një numër i markave të mëdha të modës janë në rrezik të kontribuojnë në shpyllëzimin e pyjeve tropikale të Amazonës, bazuar në lidhjet e tyre me fabrikë lëkurësh dhe kompani të tjera të përfshira në prodhimin e lëkurës dhe produkteve prej lëkure.

Raporti, i publikuar së fundmi, analizoi gati 500,000 rreshta të dhënash doganore dhe zbuloi se markat si Coach, LVMH, Prada, H&M, Zara, Adidas, Nike, New Balance, Teva, UGG dhe Fendi kanë lidhje të shumta me një industri që mbështet shpyllëzimin e Amazonës.

Më shumë se 50 marka kanë lidhje të shumta të zinxhirit të furnizimit me eksportuesin më të madh brazilian të lëkurës, JBS, i cili dihet se angazhohet në shpyllëzimin e Amazonës. JBS kohët e fundit mori një angazhim për të arritur zero shpyllëzim në zinxhirin e saj të furnizimit global deri në vitin 2035, diçka që grupet mjedisore e kanë quajtur të pamjaftueshme.

Studimi u krye nga ‘Stand.earth’ dhe gjetjet janë befasuese, pjesërisht sepse një numër i markave të anketuara kanë shpallur së fundmi politika për t’u shkëputur nga aktorët përgjatë zinxhirit të furnizimit që kontribuojnë në shpyllëzim.

Në 2019 dhe 2020, Brazili u përball me kritika nga liderët botërorë se nuk bëri më shumë për të mbrojtur pyllin nga zjarret e furishme. Shpyllëzimi në ekosistemin kritik vazhdon me ritme alarmante. Hulumtimet kanë treguar se industria e bagëtive është nxitësi i vetëm më i madh i shpyllëzimit të pyjeve tropikale të Amazonës dhe industria e modës është çelësi kryesor në makinën e eksportimit të lëkurës.

Në fakt, parashikimet tregojnë se për të vazhduar furnizimin e konsumatorëve me kuleta, çanta dhe këpucë, industria e modës duhet të therë 430 milionë lopë në vit deri në vitin 2025.

Analiza e tyre nuk provon një lidhje të drejtpërdrejtë midis çdo marke mode dhe shpyllëzimit të Amazon; në vend të kësaj, studiuesit gjetën lidhje që rrisin probabilitetin e çdo veshjeje individuale që vjen nga blegtoria në Amazonë, një industri e përshkruar si fajtori numër 1 i shpyllëzimit.

Nga 84 kompanitë e analizuara nga raporti, 23 kishin politika të qarta për shpyllëzimin. Shtëpia e modës LVMH, për shembull, u zbulua se kishte një rrezik të lartë të lidhjeve me shpyllëzimin e Amazonës, pavarësisht faktit se në fillim të këtij viti marka u zotua të mbronte rajonin e cenueshëm me UNESCO-n.

Sônia Guajajara, koordinatore ekzekutive e Aleancës Braziliane të Popujve Indigjenë (APIB), tha se markat kanë “përgjegjësinë morale, ndikimin dhe burimet ekonomike” për të ndaluar punën me furnitorët që kontribuojnë në shpyllëzimin në Amazon sot, “jo pas 10 vjetësh, jo në vitin 2025”.

Efekti i zjarreve të fundit në Amazonë ka pasur pasoja shkatërruese për grupet indigjene, të cilët thonë se presidenti Jair Bolsonaro i largoi me forcë popujt indigjenë për t'i hapur rrugë bujqësisë, minierave dhe aktiviteteve të tjera zhvillimore./Motilokal.com