
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) përmes një komunikate ka njoftuar se është zhbllokuar rruga Prizren – Prevallë, pas rrëshqitjeve të dheut.
“Ju informojmë se në rrugën Prizren – Prevallë, në kilometrin e gjashtë ku pati rrëshqitje të materialit erodues nga masivi shkëmbor në pjesën e sipërme të saj, dhe për pasojë bllokimin e kësaj rruge që nga mbrëmë pas orës 18.00 e deri me tani është bërë zhbllokimi i këtij aksi rrugor dhe trafiku mund te zhvillohet sikurse më parë”, thuhet në njoftim.
Nga ministria u bëjnë thirrje vozitësve që të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në këtë rrugë.
“Bazuar në konfiguracionin e terrenit ku shtrihet kjo rrugë, bëjmë thirrje tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të kenë kujdes të shtuar në të gjithë gjatësinë e saj, pra nga Prizreni deri në Prevallë. Kujdes duhet të bëhet nga ndonjë rënie eventuale e gurëve”, njofton MMPHI./Motilokal.com