
Temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Arktik, 38 gradë Celsius është konfirmuar zyrtarisht, duke bërë që të bien “kambanat e alarmit” lidhur me ndryshimin e klimës në Tokë.
Organizata Botërore e Meteorologjisë (OBM) e konfirmoi rekordin e raportuar në qytetin siberian të Verkhoyansk në 20 qershor.
Kjo temperaturë është 18 gradë Celsius më e lartë se maksimumi mesatar ditor i zonës për atë muaj.
OBM, një agjenci e OKB-së, tha se një nxehtësi e tillë ekstreme “i përshtatet më shumë Mesdheut sesa Arktikut”.
Është hera e parë që agjencia përfshin Rrethin Arktik në arkivin e saj të raporteve të motit ekstrem.
OBM thotë se 38 gradë Celsius u matën në një stacion meteorologjik gjatë “një vale të jashtëzakonshme dhe të zgjatur të nxehti siberian”.
Nxehtësia ekstreme e vitit të kaluar në rajon kontribuoi në përhapjen e zjarreve, të cilat përfshinë pyjet dhe toka të Rusisë veriore duke lëshuar një sasi rekord karboni.
Edhe pse të zakonshme në muajt e verës, temperaturat e larta dhe erërat e forta i bënë zjarret jashtëzakonisht të rënda.
Temperaturat e larta në të gjithë Siberinë çuan gjithashtu në “humbje masive të akullit të detit” dhe luajtën një rol të madh gjatë vitit 2020, që konsiderohet si një nga tre vitet më të ngrohta të regjistruara ndonjëherë./Motilokal.com