
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur, “qeveria ka vendosur të ecim para në Kuvend me projektamendimet në ligjin “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, ose siç të gjithë e njohin nismën që ndalon prodhimin, përdorimin dhe importimin e qeseve plastike”.
“I qëndrojmë nismës së filluar nga qeveria në vitin 2019, që fatkeqësisht fillimisht për shkak të tërmetit e më pas të gjendjes së pandemisë globale, u kalua në plan të dytë për shkak të prioriteteve të reja që na u vunë përballë, por nuk u harrua”, theksoi Kumbaro.
Ajo deklaroi se me planin për pastrimin kombëtar dhe planin për riciklimin që do të nisim fillimisht me shkollat e universitetet, çojmë përpara nismën për ndalimin e qeseve plastike mbajtëse, qeseve plastike mbajtëse shumë të lehta, qeseve plastike mbajtëse të lehta dhe qeseve plastike të oxodegradueshme dhe oxo-biodegradueshme.
Kumbaro u shpreh se me pastrimet e çdo qarku po e shohim qartë se batërdia, bomba me sahat ndaj natyrës janë pikërisht qeset plastike që pa vrarë mendjen i përdorim çdo ditë e po ashtu i hedhim, duke ndotur tokën e ujërat”.
“Prandaj na duhet ky ligj, e sigurisht bashkëpunimi e ndërgjegjësimi i gjithë shoqërisë”, tha ministrja Kumbaro./Motilokal.com