
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) rishikoi poshtë parashikimin e saj për rritjen e kërkesës globale për naftë për këtë vit dhe vitin e ardhshëm për shkak të rritjes së rasteve të reja me COVID-19.
Sipas “Raportit të Tregut të Naftës” të IEA-së për muajin nëntor, rritja e rasteve me COVID-19 pritet të ngadalësojë kërkesën globale për naftë, veçanërisht kërkesën për transportin ajror dhe karburantin e avionëve.
Për shkak të ngadalësimit të përmendur, agjencia uli parashikimin e saj për rritjen e kërkesës globale për naftë me 100 mijë fuçi për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, krahasuar me raportin e mëparshëm.
Sipas kësaj, kërkesa globale për naftë pritet të arrijë në afërsisht 96.193.000 fuçi këtë vit, me një rritje prej 5.367.000 fuçi në ditë krahasuar me vitin e kaluar. Vitin e ardhshëm kërkesa pritet të kthehet në nivelet e para pandemisë duke arritur në 99.534.000 mijë fuçi me një rritje prej 3.341.000 fuçi në ditë, transmeton Anadolu Agency.
Sipas raportit, në vitin 2020 kur filloi pandemia kërkesa globale për naftë e cila u ul në 90.826.000 fuçi në ditë, në vitin 2019 ishte 99.549.000 fuçi.
Ndërsa rajoni Azi-Paqësor këtë vit pritet të kryesojë kërkesën për naftë me 35.618.000 fuçi në ditë, vlerësohet se ky rajon do të pasohet nga Amerika me 30.148.000 fuçi dhe Evropa me 13.717.000 fuçi. Parashikohet që rajoni i Azi-Paqësorit të forcojë pozicionin e tij në vitin e ardhshëm dhe kjo renditje nuk do të ndryshojë.
Në nëntor u rrit furnizimi global i naftës
Sipas raportit, prodhimi global i naftës arriti në 98.370.000 fuçi në ditë, me një rritje prej 970 mijë fuçi në krahasim me muajin e kaluar.
Me rritjen e prodhimit të SHBA-së dhe grupit OPEC-Plus për të parandaluar tkurrjen e tregut, vlerësohet se prodhimi global i naftës do të tejkalojë kërkesën që nga dhjetori dhe ky trend do të vazhdojë vitin e ardhshëm.
SHBA-ja, Kanadaja dhe Brazili në vitin 2022 pritet të arrijnë nivelet e tyre më të larta vjetore të prodhimit ndonjëherë dhe me këtë rritje, prodhimi i naftës në vendet jashtë OPEC-Plus pritet të rritet mesatarisht me 1.8 milionë fuçi në ditë. Vlerësohet se Arabia Saudite dhe Rusia mund të thyejnë rekorde të prodhimit nëse grupi OPEC-Plus zbut plotësisht ndalesat e prodhimit.
Thuhet se nëse vendet në fjalë rrisin prodhimin, prodhimi global i naftës vitin e ardhshëm mund të rritet me 6.4 milionë fuçi.
Rritet prodhimi i naftës së papërpunuar të OPEC-ut
Prodhimi ditor i naftës së papërpunuar të OPEC-ut u rrit në 27.750.000 fuçi në nëntor me një rritje prej rreth 310 mijë fuçi krahasuar me një muaj më parë.
Gjatë kësaj periudhe, prodhimi jo konvencional i OPEC-ut, përveç naftës bruto, u regjistrua si 5.210.000 fuçi në ditë. Prodhimi total i naftës i OPEC-ut muajin e kaluar ishte 32.960.000 fuçi në ditë.
Nga ana tjetër, prodhimi ditor i naftës në vendet jashtë OPEC-ut është rritur me rreth 660 mijë fuçi krahasuar me një muaj më parë dhe ka arritur në 65.410.000 fuçi.
Sipas raportit, vlerësohet se oferta globale e naftës do të rritet me 1.5 milionë fuçi në ditë krahasuar me një vit më parë dhe do të arrijë në 95.270.000 fuçi deri në fund të vitit dhe në vitin e ardhshëm do të arrijë në 101.670.000 fuçi./Motilokal.com