
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot aplikacionin e ri ‘Komisariati Digjital’, si dritarja e re për denoncimin e krimeve mjedisore.
Tashmë nëse konstaton ndotje të tokës, ujit, parqeve, plazheve apo ndotje akustike, mund të denoncosh problemin, në mënyrë që problemi të marrë zgjidhje sa më shpejt.
“Mirëmëngjes dhe me aplikacionin “Komisariati Digjital”, ku është bërë aktive dritarja e re për denoncimin e Krimit Mjedisor, e ku tani mund të denonconi ndotjen e tokës (vendbanimit, rrugëve, parqeve, plazheve), ujit, depozitimet e paligjshme të mbetjeve, ndotjen me inerte dhe ndotjen akustike, ju uroj edhe një ditë të mbarë. Kujdesuni për mjedisin edhe për veten”, ka shkruar Rama në Facebook.
Kryeministri ka publikuar edhe një video në Facebook ku shpjegohet hap pas hapi si bëhet denoncimi. Fillimisht ngarkohet foto ku evidentohet akti i denoncuar, sipas kategorisë. Më pas duhen përcaktuar saktë qyteti dhe adresa e vendndodhjes, që denoncon në foto dhe hapi i fundit është klikimi i opsionit ‘dërgo’ duke vendosur nëse dëshiron ta ruash ose jo anonimatin./Motilokal.com