Verilindja e vendit është përfshirë nga reshje të dendura dëbore, që kanë sjellë vështirësi të shumta në qarkullimin e mjeteve, sidomos në Qarkun e Kukësit, ku raportohet se në të gjitha akset nacionale qarkullohet vetëm me zinxhirë ose me goma dëbore. Në lartësitë mbi 800 metra trashësia ka arritur 20 centimetra.
Ndërkohë fshatrat si Tërshen, Arrën, Turaj, Borje, Zapot, Cërnalev, Xhaferaj, Lojme, Shkinak jan bllokuar nga trashësia e borës. Rrugët nacionale si Kukës-Kala e Dodës-Peshkopi, Kukës -Shishtavec, Kukës-Qaf Mali-Fierz, Kukës-Krumë-Tropojë, Tropojë-Fierz qarkullohen me zinxhirë apo goma dimërore, pasi prezenca e borës dhe akullit është evidente.
Si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës, raportohet se ka pasur probleme me furnizimin me energji elektrike në qytetin e Kukësit dhe në disa fshatra përreth./Motilokal.com
