Të jetosh në kohë tërmetesh: sa janë të sigurta ndërtesat tona?!

Të jetosh në kohë tërmetesh: sa janë të sigurta ndërtesat tona?!

Një dridhje e vogël e tërmetit dhe menjëherë na shkon mendja te cilësia e ndërtimeve të larta që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut në vendin tonë. Pyetjet që vazhdimisht shtrohen janë çfarë nuk dimë dhe çfarë po bëhet për të mbikëqyrur standardet e ndërtimit? A ka kontrolle të këtyre ndërtimeve? A ka leje sizmike? Sa e rrezikuar është Kosova nga tërmetet?

Për të kuptuar përgjigjet e këtyre pyetjeve motilokal.com zhvilloi një intervistë me MSc. Burim Smajli inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

z. Smajli, së fundmi Greqia u godit nga një tërmet 5.8 shkallë Rihter, saqë dridhjet u ndjen edhe në Kosovë? A është vendi ynë i ekspozuar ndaj një aktiviteti sizmik?

Nga pikëpamja sizmologjike territori i Kosovës paraqet një rajon me aktivitet sizmik relativisht të lartë, i cili është goditur në të kaluarën dhe mund të goditet edhe në të ardhmen nga tërmetet autoktone të forta, të cilët i kanë vatrat e cekëta, që gjenerohen në koren e tokës, maksimum 15 - 20 km. Territori i Kosovës gjatë periudhës 1456-2014 është goditur me 152 tërmete me magnitudë 3.5-6.3 shkallë të Rihterit. Tërmetet më të fuqishme që kanë goditur Kosovën ekzistojnë gjatë periudhës 1900 - 2014. Të dhënat e mëhershme janë të pakta. Ndër tërmetet më të fuqishëm që kanë goditur Kosovën mund të përmendim: 1. Tërmeti i Prizrenit, i vitit 1456 (MS=6.0) 2. Tërmeti i Pejës, i vitit 1662 (MW=6.0). 3. Tërmeti i Ferizajt, i vitit 1755 (M=6.1). 4. Tërmeti i Ferizaj-Vitisë, i vitit 1921 (ML=6.1). 5. Tërmeti i Kopaonikut, i vitit 1980 (MW=5.7), 6. Tërmeti i Gjilanit, i vitit 2002 (MW=5.7), 7. Tërmeti i Istogut, 10 mars 2010 (ME= 5.2) etj.

1. Siç shihet prej të dhënave sizmike, rajoni Ferizaj-Viti-Gjilan përfaqëson një ndër burimet sizmike më të fuqishme, në të cilin ka ndodhur tërmeti më i fortë autokton, ai i vitit 1921 me magnitudë 6.2 dhe intensitet epiqendror IX ballë MSK-64.

2. Rajoni Pejë-Gjakovë-Prizren-Dragash përfaqëson burimin sizmik tjetër në Kosovë ku është regjistruar tërmeti i vitit 1456 me magnitudë 6.6 të shkallës Rihter.

3. Edhe rajoni Kopaonik është një ndër zonat e fuqishme të burimeve sizmike, kjo është dëshmuar nga tërmeti i vitit 1980 me magnitudë 6.0.

4. Rekomandim: Institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë rivlerësimin e magnitudës së tërmeteve historike që kanë goditur territorin e Kosovës. Një vlerësim më të bazuar të parametrave të sizmicitetit, duke përmirësuar bazën e të dhënave të tërmeteve që kanë goditur Kosovën dhe rajonet fqinje etj.

A ka Kosova kuadro të mjaftueshme për njohjen e këtij fenomeni?

Mendoj se si në shumë fusha të tjera, ashtu dhe në atë të sizmikes nuk kemi kuadro të mjaftueshme. Institucionet përgjegjëse duhet të gjejnë mënyra se si të plotësohet kjo mungesë përndryshe dëmi që mund të shkaktohet është mjaft i madh, sepse prej të dhënave të sizmologëve fillojnë hallkat e sistemit për një ndërtim të sigurtë.

Duke pasur parasysh se tërmetet nuk parashikohen. A është bërë ndonjë studim lidhur me rrezikun që mundet me godit vendin? 

Aq sa unë kam njohuri dhe duke e përcjellë vazhdimisht literaturën e re që publikohet në internet në vendin tonë ka shumë pak studime. Këtu dua të theksoj një studim të bërë nga NATO për Ballkanin Perëndimor të publikuar në vitin 2011 dhe aty shihet se në ekipin që kanë marrë pjesë nuk është asnjë kosovar, po ashtu në hartën e publikuar në raport shihet se në vendosjen e stacioneve sizmike moderne të financuar nga NATO në Kosovë nuk figuron asnjë.

Viteve të fundit në disa qytete të Kosovës, si Prishtina dhe Fushë Kosova vërehet një ndërtim i madh. Çfarë duhet ditur për të kryer një ndërtim të sigurtë apo sa janë të sigurta këto ndërtime?

Ndërtimi kalon nëpër një proces mjaft të gjatë ku implikohen shumë faktorë. Që të kemi një ndërtim të sigurtë duhet që i tërë procesi i ndërtimit të funksionojë në përpikëri, prej fazës së projektimit, ndërtimit, mbikëqyrjes e deri te pranimi teknik. Cilado nga këto që u cek është e rëndësishme për faktin se njëra nëse dështon, atëherë cilësia nuk është e mirë. Pasi cekëm më lart parametrat sizmikë për vendin tonë, të cilat secili inxhinier duhet t’i studiojë dhe t’i inkorporojë me kujdes në llogaritjet e tij, me rëndësi është edhe theksimi i studimeve gjeologjike për truallin ku do të ndërtohet objekti. Këto janë esenciale për ndërtim të sigurtë. Në Kosovë ka disa kompani që bëjnë studime gjeologjike të tokës dhe ky studim është parakusht për fillimin e projektimit të strukturës. Nga përvoja ime dhe e shumë kolegëve të mi konsideroj që një pjesë e kompanive që bëjnë studim gjeologjik të tokës janë goxha joserioze duke punuar elaborate gjeomekanike shumë të cekëta dhe në disa raste edhe të pasakta. Prandaj, u bëj thirrje investitorëve që këto studime mos t’i porosisin duke u determinuar nga çmimi, por nga cilësia e tyre. Nga elaborati gjeomekanik inxhinieri i strukturës i merr të gjithë parametrat e tokës ku do të ndërtojë. Po ashtu, u bëj thirrje institucioneve që të kenë kontrolle më të mëdha të kompanive që merren me këto studime që të sigurohet cilësi më e madhe e ndërtesave.

z. Smajli, a mund të na tregoni se cilat janë problemet e tjera të ndërtimit te ne?

Ashtu siç theksova më lart, ato fillon me fazën e projektimit duke vazhduar edhe në etapat e tjera të ndërtimit. Kontrolli i projektit të strukturës nga zyrtarët komunal duhet të bëhet më e vëmendshme dhe më e saktë duke pasur parasysh që kjo është njëra prej hallkave që siguron se objekti do të jetë në të ardhmen i sigurtë për banorët e tij. Nga përvoja ime por edhe të shumë kolegëve të mi shohim se në shumë raste çalon një kontroll i saktë i projektit të strukturës. Në disa komuna të Kosovës hasim që në mungesë të inxhinierit të strukturës si pjesë e stafit komunal, kontrollin e projektit të strukturës ta bëjë një zyrtar i cili nuk është inxhinier strukturash.

Tani do të mundohemi të sqarojmë të metat që ndërlidhen me fillimin e ndërtimit ku si parësore është mbikëqyrja e ndërtimeve. Ashtu siç është e paraparë edhe me ligj, ajo organizohet nga institucionet komunale përmes inspektorëve dhe kompanive private që investitori obligohet t’i ketë. Inspektimi nga autoritetet komunale edhe pse me ligj është mjaft i detajuar dhe i qartë çalon në shumicën e rasteve. Numri i inspektorëve të ndërtimit në raport me dinamikën e ndërtimeve nuk është në proporcion të drejtë. Duhet urgjentisht të rritet numri i inspektorëve të ndërtimit. Mbikëqyrja nga kompanitë private të pjesës së strukturës duhet të jetë shumë më rigoroze, ngase kjo ndikon direkt në cilësinë dhe sigurinë e objekteve.

Ndërtimi pas luftës në Kosovë, sidomos ai banimor, ka marrë një hov të paparamendueshëm. Kjo situatë mendoj se i ka gjetur institucionet tona të papërgatitura për ta përballuar këtë fluks të ndërtimeve. Mangësitë kryesore që kanë objektet ndodhin gjatë ndërtimit duke mos respektuar dhe zbatuar projektet. Rolin kryesor për shmangien e këtij problemi e kanë institucionet tona duke i shtuar inspektimet në terren dhe të mos lejojnë që asnjë element konstruktiv siç janë shtyllat, pllakat, të betonohen pa e inspektuar vendosjen e armaturës, etj. Gjatë punës së përditshme në terren në shumë raste vërejmë që ka devijim nga projekti i strukturës e sidomos dëmtohen elementët strukturorë antisizmikë. Një autor i njohur grek për ndërtesat antisizmike thotë se nëse gjatë ndërtimit një stafë nuk vendoset, atëherë aftësia mbajtëse e shtyllës zvogëlohet për 50%. E nga praktika shohim shpesh se jo një stafë po shumë stafa apo armatura tjera nuk punohen si duhet. Këtu duhet të përmendim që një pjesë e investitorëve janë mjaft të saktë duke mos ndërhyrë në projektin e strukturës.

Më shumë se gjysma e popullsisë, sidomos ajo urbane, jeton në ndërtesa të reja. Sipas jush cilat janë më të sigurta, të vjetrat apo të rejat?

Unë mendoj se objektet e banimit nga aspekti i rrezikut sizmik duhet t’i ndajnë në tri kategori: 1. Objektet e vjetra, 2. Objektet individuale të banimit apo shtëpitë e banimit, të cilat janë ndërtuar pa projekt të strukturës, dhe 3. Objektet kolektive të banimit ose objektet banesore të pasluftës.

1. Kategoria e objekteve te vjetra të banimit të ndërtuara para lufte mendoj se është mjaft e ndjeshme për disa arsye, ndër to po përmend: amortizimin e këtyre objekteve nga koha. Në kohën kur janë ndërtuar nuk ka qenë shumë e zhvilluar projektimi i strukturave antisizmike dhe ndërhyrjet që kanë pësuar këto objekte me kalimin e kohës duke i dëmtuar në pjesën më të ndjeshme të tyre me shkatërrimin e strukturës. Te kjo pikë duhet pasur vëmendje të veçantë. Te shumë nga këto objekte. katet përdhes janë dëmtuar për shkak të hapjes së lokaleve afariste dhe në katet e tjera kanë pësuar dëmtime nga ndërhyrjet e restaurimeve. Mendoj se autoritetet komunale duhet të kenë kujdes me këto objekte me theks të veçantë duke mos lejuar që të vazhdojë dëmtimi i mëtejmë i tyre si dhe t’i detyrojnë pronarët e dyqaneve që t’i kthejnë në gjendjen e mëparshme duke i përforcuar pjesët e dëmtuara. Duhet patjetër që të merret nismë nga institucionet përgjegjëse që të bëjnë skanimin e këtyre objekteve dhe të shohin gjendjen e tyre para se të bëhet vonë.

2. Kategoria e dytë janë objektet individuale të banimit apo shtëpitë e banimit të cilat janë ndërtuar pa projekt të strukturës. Edhe kjo kategori është mjaft e ndjeshme duke pasur parasysh që këto objekte janë në numër shumë të madh. Institucionet tona duhet ta detyrojnë pronarin që t’i bëjnë analizë strukturës së objektit në fjalë para se ta legalizojnë. Fatkeqësisht procesi i legalizimit deri tani ka qenë një proces i dështuar. Paradoksi qëndron në faktin se institucionet tona me ligjin e ri për legalizim të këtyre objekte e kanë hequr analizën e stabilitetit për këto objekte dhe pronari mjafton që ta dorëzojë vetëm fazën e arkitekturës për t’u pajisur me legalizim duke mos e ditur institucionet tona dhe pronarët se sa janë të sigurta ato objekte. Sot ka mjete mjaft të sofistikuara ku mund të bëhet skanimi i këtyre objekteve dhe të analizohet gjendja e saktë e tyre.

3. Kategoria e objekteve të banimit kolektive apo objekteve banesore, kjo kategori e më e rëndësishmja duke pas parasysh numrin e madh të këtyre objekteve dhe banorëve që banojnë aty. Te kjo kategori problemet kryesore që ndërlidhën me mungesën e sigurisë nga tërmetet janë mbindërtimet jashtë projektit të strukturës, ndërhyrjet gjatë ndërtimit duke e ndryshuar projektin, moszbatimi i saktë i projektit, etj. Qytetarët duhet të jenë mjaft të kujdesshëm se ku vendosin të blejnë një banesë duke pas parasysh që aty i po i lënë kursimet jetësore. Andaj, ata duhet të hulumtojnë dhe të pyesin inxhinierët kompetentë për cilësinë e një x ndërtese. Cilësia e ndërtimeve nuk është i njëjtë andaj ka dallime të mëdha prej një objekti në tjetrin.

Shumë ndërtesa gjigante me dizajne të ndryshme... Si është situata me pranimin teknik, a bëhen shkel e shko apo ka rregulla?

Një prej hallkave të radhës tepër e rëndësishme të ndërtimit është edhe pranimi teknik i objekteve. Në shumicën e rasteve objektet e reja nuk kanë fare pranim teknik, ndërsa aty kanë hyrë të banojnë qytetarët dukë mos pas certifikatë nga institucionet që objekti është ndërtuar sipas projektit dhe rregullave teknike në fuqi. Duke mos e përcjellë dinamikën e ndërtimeve institucionet tona nuk po arrijnë që fare të merren me pranimin teknik të objekteve ky është një alarm i madh për sigurinë e qytetarëve tanë. Institucionet duhet të marrin praktikat e vendeve të zhvilluara që të bëhen më efikase sa i përket pranimit teknik të objekteve. Unë frikësohem se jemi vonuar shumë në këtë pikë dhe dëmi mund të jetë i pariparueshëm.

Kush mendoni se duhet të mbajë përgjegjësi?

Mendoj, që pavarësisht mungesave të mëdha që i kemi në resurset humane dhe në përvojë, ata që drejtojnë institucionet përkatëse dhe ndërtuesit duhet të jenë në nivelin më të lartë të përgjegjësisë. Së pari, ata që ndërtojnë duhet ta kenë parasysh se siguria shet. Qytetarët gjithnjë e më shumë janë vetëdijesuar se çfarë po blejnë. Investitorët nuk duhet të kursejnë dhe dorën në zemër ndërtimi i strukturës nuk ka ndonjë kosto të lartë. Tek e fundit këto janë investime që kthehen dhe vlerësohen shumë prej atyre që banojnë në ndërtesat e tyre. Së dyti, dua të theksoj përgjegjësinë që kanë inxhinierët, një klik i tyre i gabuar gjatë projektimit mund të vras shumë njerëz. Prandaj, le ta kuptojnë maksimalisht përgjegjësinë dhe le ta dinë se jeta e njeriut është e shenjtë.

A ka Kosova harta sizmike që kushtëzon lartësinë dhe tipin e ndërtimeve?

Kosova ka harta sizmike, mirëpo në këto harta nuk kushtëzohen lartësia apo tipi i objekteve. Kjo pastaj kushtëzohet nga hallkat tjera të zinxhirit të ndërtimit, si nga planet që ka secila komunë në zona të caktuara për lartësi të objekteve dhe tipin e tyre, anipse këto nuk kanë të bëjnë me rrezikun sizmik. Inxhinierët e strukturës në bazë të kritereve të përcaktuara nga komunat respektive për tipe dhe lartësi të objekteve duhet të konstruktojnë strukturat që t’u rezistojnë tërmeteve të parapara në zonat përkatëse.

A kryhen studime sizmike për çdo ndërtim dhe a është e domosodshme për marrjen e lejeve të ndërtimit nga komuna?

Në studimet gjeologjike të truallit të ndërtimit duhet të përfshihen edhe studimet përkatëse sizmike po në atë truall, mirëpo në shumicën e rasteve mungojnë, dhe projektimi nga inxhinierët vazhdon me të dhënat e përgjithshme nga hartat sizmike./Motilokal.com