Kosova shpëtoi turizmin në Shqipëri për vitin 2021

Kosova shpëtoi turizmin në Shqipëri për vitin 2021

Edhe përkundër që jemi ende në kohë pandemie, turizmi në Shqipëri ka filluar të gjallërohet, por ende mbetet larg normalitetit.

Të dhënat e Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) tregojnë se gjatë vitit 2021, numri i të huajve që vizituan Shqipërinë arriti në 5.6 milion, duke u dyfishuar në krahasim me 2020-tën. Kundrejt 2019-ës, në vendin tonë janë futur 2.9 milion turistë të huaj më pak.

Referuar të dhënave të INSTAT nga Kosova erdhën më shumë se 2.6 milion qytetarë, të cilët përbëjnë 46 për qind të ardhjeve totale. Pas Kosovës renditen Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Italia.

Po ashtu sipas të dhënave të INSTAT gjatë vitit 2021, Polonia ka pasur rritjen më të madhe të turistëve që kanë hyrë në vendin tonë, me 4.6 herë më shumë; Spanja me 4.5 herë dhe SHBA me 3.9 herë, krahasuar me vitin paraardhës.

Por pavarësisht pandemisë, të shumtë kanë qenë shqiptarët që kanë udhëtuar jashtë vendit, jo vetëm për turizëm, por edhe për qëllime të tjera.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë viti që lamë pas, 4.2 milionë shqiptarë kanë dalë jashtë vendit nga 2.9 milionë në vitin 2020./Motilokal.com