Studim: Ulja e ndotjes nga karantina shpëtoi 800 jetë në 47 qytete europiane

Studim: Ulja e ndotjes nga karantina shpëtoi 800 jetë në 47 qytete europiane

Më shumë se 800 vdekje u shmangën falë përmirësimit të cilësisë së ajrit gjatë karantinës së plotë në Europë, thotë Shërbimi i Klimës për Bashkimin Evropian, Koperniku.

Nga krahasimi i ekspozimit ndaj ajrit të ndotur mes shkurtit dhe korrikut 2020 në 47 qytete të mëdha evropiane, studiuesit arritën në përfundimin se masat e ndërmarra nga qeveritë e vendeve evropiane për të kufizuar përhapjen e COVID-19 mbrojtën njerëzit nga ndotja vdekjeprurëse.

Studimi zbuloi se mbyllja e shkollave, puna nga shtëpia dhe anulimi i aktiviteteve pati një ndikim të madh në nivelin e dioksidit të azotit (NO2), një gaz i dëmshëm i prodhuar kryesisht nga makinat.

Dioksidi i azotit shihet si shkaktar i disa sëmundjeve respiratore dhe problemeve në zemër, sipas Agjencisë Europiane të Mjedisit dhe është përgjegjës për 50 mijë vdekje të parakohshme në Bashkimin Europianë çdo vit.

Sipas studimit, qytete në Francë, Spanjë dhe Itali patën një rënie me 50-60 për qind të gazit të dëmshëm gjatë kësaj periudhe.

Është studiuar intensiteti dhe koha e uljes së ndotjes së ajrit së bashku me ndikimin në vdekshmërinë afatshkurtër.

Parisi, Londra, Barcelona, Milano ishin mes qyteteve që shmangën më shumë vdekje, sipas të dhënave zyrtare të këtyre vendeve.

"Efektshmëria e masave të caktuara është e qartë për t'u parë", tha drejtori i CAMS Vincent-Henri Peuch, duke i quajtur gjetjet "jashtëzakonisht të rëndësishme".

Profesor Antonio Gasparrini nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër (LSHTM), e cila bashkëpunoi në hulumtim, shtoi se informacioni mund të përdoret për të hartuar politika më të mira për të trajtuar ndotjen e ajrit.

"Ky 'eksperiment natyror' na ka dhënë një paraqitje të shkurtër sesi cilësia e ajrit mund të përmirësohet nga masat drastike të shëndetit publik që do të ishin të vështira për t'u zbatuar në kohë normale", tha ai.

EEA dhjetorin e kaluar vlerësoi se ekspozimi ndaj grimcave të imëta shkaktoi rreth 307,000 vdekje të parakohshme në të gjithë bllokun në vitin para pandemisë./Motilokal.com