Krilla regjistrohet për herë të parë si dimëruese në Shqipëri

Krilla regjistrohet për herë të parë si dimëruese në Shqipëri

Gjatë Censusit të Shpendëve të Ujit të këtij viti, ekipi i përbërë nga PPNEA, Qendra “Shpendët e Shqipërisë” dhe AdZM Gjirokastër regjistruan për herë të parë në Shqipëri gjatë periudhës së dimrit praninë e Krillës (Grus grus). Pesë individë të këtij lloji, ku së paku tre janë të rritur, janë vrojtuar në rezervuarin e Bulos, Gjirokastër.

“Ky regjistrim përfaqëson një vrojtim unik deri më sot, duke qenë se në vendin tonë ky lloj haset vetëm gjatë periudhës së shtegtimit, në tufa relativisht të mëdha dhe kryesisht në zonën bregdetare qendrore dhe veriore të Shqipërisë, bazuar në raportimet e viteve të fundit. Ndërkohë, në vende të tjera, vrojtimet e këtij lloji gjatë dimrit janë të rralla dhe përfaqësohen kryesisht nga individ të rinj të vetmuar, sikundër është regjistruar një rast i tillë në ishullin e Korfuzit gjatë dhjetorit të vitit 2012”, thuhet në njoftimin e PPNEA-së.

May be an image of 1 person, wading bird, nature and body of water

Sipas PPNEA-së Krilla është një shpend me përmasa të mëdha, me trup të gjatë deri në 120 centimetra dhe gjatësi e hapjes së krahëve deri në 222 centimetra. Pjesa më e madhe e popullatës së Krillës është shtegtare dhe folezon në rajonin zoogjeografik të Palearktikut duke filluar nga Evropa Veriore deri në Kinën Qendrore dhe në lindjen e largët të Rusisë; gjithashtu në Turqi, Kaukaz, Armeni. Ndërkohë vend-dimërimet e njohura të këtij lloji janë Franca, Gadishulli Iberik, Afrika Veri-Perëndimore dhe Veri-Lindore, Lindja e Mesme, Pakistani, India, Kina Jugore dhe Lindore.

May be an image of wading bird and nature

“Ky nuk është rasti i parë që ne sjellim tek ju surpriza apo vrojtime të rralla gjatë censusit të shpendëve të ujit. Vlen të përmendim vrojtimin e një individi të lejlekut në Bulo, regjistrimin si dimërues i gjelëzës së madhe në Vjosë-Nartë, çafkës së purpurt në lagunën e Orikumit etj.”, thotë PPNEA./Motilokal.com