Krismat e pushkëve të gjahut po dëgjohen gjithnjë e më shpesh në malet e Kosovës. Pjesë të ndryshme të kafshëve e shpendëve nëpër restorantet, shtëpitë e odat gjithandej Kosovës mbesin shenjat e dhimbshme të atyre krismave.
Kaprolli, lepuri dhe derri i egër mbeten cak i gjahtarëve ilegalë, të cilët po i dërgojnë këto kafshë dhe shumë të tjera drejt zhdukjes.
Fotografi Albert Krasniqi, i cili me pasion fotografon kafshët e egra në Malet e Kosovës, por së fundmi ka hasur direkt në vrasjen e një kaprolli.
Ai ka në profilin e tij ka shkruar se për të takuar një specie të rrallë si kaprolli ose duhet të kesh fat ose të kërkosh vite e vite me shpresën se do të takosh një ditë.
“Sot ishte dita fatlume ku e takuam. Gëzimi ishte i madh nuk mund ta besoja, por, befas nga larg kaprolli dukej i lodhur, po çalonte dhe nga pas iu kishin vënë në ndjekje qentë që po nxitonin drejt tij. Duke shpejtuar për të gjetur një vend ku mund të ndalonim makinën pa penguar askënd në këto ditë dimri dhe duke shpresuar për të ndihmuar kaprollin si duket ishte tepër vonë. Përveç ndjekjes nga qentë, kaprolli ishte edhe i plagosur dhe aq më keq kur arrita dhëmbët e qenit ishin në fyt të kësaj krijese të bukur dhe luftonte për jetën e tij. Ishte tepër vonë, kaprolli ngordhi”, tregon Alberti ngjarjen e kësaj ‘masakre’ të gjahtarëve që ka ndodhur në mes maleve të Gadimës dhe Kishnapolës.
Shikimi i fundit i një kaprolli, para se të ngordhte nga gjuetia ilegale. Foto: Albert Krasniqi
Kaprolli (Capreolus capreolus) është një specie në rënie Trendi i nënpopullatave është i qëndrueshëm në nivel global, por në Kosovë është lloj në rënie dhe i kërcënuar për zhdukje. Ky lloj është vlerësuar në kategorinë: I rrezikuar, për shkak të rënies së vazhdueshme të vëzhguar të popullatave të këtij lloji në të kaluarën, ku shkaktarët nuk kanë ndaluar ende, bazuar në vëzhgim direkt, rënie të cilësisë së habitateve të përshtatshme për llojin, si dhe për shkak të nivelit të eksploatimit. Gjithashtu, pritet një reduktim i nënpopullatave në vitet në vijim për shkak të trendëve të vazhdueshme që e kërcënojnë këtë lloj.
Faktorët kryesorë, që e kërcënojnë këtë lloj, janë: degradimi dhe shkatërrimi i habitatit, grabitja, gjuajtja dhe përndjekja nga njeriu për qëllime të ndryshme. Gjithashtu, ky lloj kërcënohet nga ujku, derri i egër, rrëqebulli, dhelpra, e sidomos të vegjlit janë pre e lehtë e tyre.
Me anë të vendimit të MMPH 04/03 të datës 23 maj 2003, neni 3 ky lloj është i mbrojtur me ligj, si lloj i rrallë dhe i rrezikuar./Motilokal.com
