
Gjinari, një fshat i përcaktuar si një nga zonat turistike më të bukura të Elbasanit, njëkohësisht një qendër komune në rrethin e Elbasanit, 25 kilometra larg qytetit, është shndërruar në një destinacion turistik, me turistë vendas dhe të huaj.
Kjo zonë me pishat e larta dhe me lartësinë e Bukanikut, përbën një dëshirë më vete për ta frekuentuar.
Liqenet e vegjël, uji i bekuar dhe dëbora, përbëjnë më tepër se një zonë turistike. Kjo përbën edhe të fshehtën që tërheq turizmin, aq të dëshiruar për banorët, pasi kjo do të thotë pasurim dhe komoditet.
Komuna e Gjinarit përbëhet nga fshatrat: Gjinar, Lleshan Valesh, Pashtresh, Derstile, Lukan, Sterstan, Xibresh, Maskarth, Kaferr, e Pobrat. Gjithsej kjo komunë ka 5100 banorë. Me shumë dashamirësi ata të afrojnë në ato pak ambiente çlodhëse që kanë krijuar vetë.
Pika turistike është frekuentuar gjatë gjithë stinëve të vitit, por më tepër në ditët e nxehta të verës.
Gjinari cilësohet si një nga pikat më të preferuara të Elbasanit, e cila është në një lartësi rreth 800-1000 metra mbi nivelin e detit.
E veçanta e Gjinarit është se ai dallon nga të tjerat për nga klima dhe resurset e veta natyrore, duke të ofruar një turizëm permanent, si gjatë verës, ashtu edhe në dimër. Krahas kënaqësisë, kur shkel në këto anë, një vlerë jashtëzakonisht të madhe ka Gjinari edhe si zonë kurative, sidomos për ata që vuajnë nga mushkëritë. Ajri këtu është i pastër, plot oksigjen.
Turistët e huaj tani janë të shumtë dhe kryesisht janë holandezë dhe gjermanë që frekuentojnë këto shtëpi mikpritëse, po kështu ka edhe turistë grekë, të cilët vijnë së bashku me emigrantët për pushimet e fundvitit ose për pushimet e verës./Motilokal.com