Si formohen ortekët e borës dhe si të kemi kujdes ndaj tyre?!

Si formohen ortekët e borës dhe si të kemi kujdes ndaj tyre?!

Ortekët janë fenomene natyrore që krijohen nga fjolla të imëta bore, të cilat mund të krijojnë një masë prej qindra tonësh.

Në botë ortekët njihen si “dragonjtë e bardhë” ose “vrasësit e vrullshëm” për shkak se kanë zënë shumë persona, duke i dërguar drejt vdekjes.

Ortekët mund të krijohen në shpate malore nga bora e rënë në formë kristalesh, topthash dhe kokrrizash.

Ndryshimet në temperaturën e ajrit dhe presioni që krijohet nga grumbullimi i dëborës, bëjnë që kristalet të zvogëlohen teksa zënë vend në tokë.

Lloji i dëborës, sasia e rënë, pjerrësia e terrenit, ndryshimi i temperaturës dhe forca e erërave, të gjitha këto përcaktojnë nëse një ortek do të vihet në lëvizje ose jo. Një ortek mund të nisë rastësisht edhe nga pesha e një njeriu ose e një kafshe.

Gjithsesi, ekzistojnë edhe lloje të tjerë ortekësh ndërsa më të rrezikshmit janë ata të cilët krijohen nga grumbullimi i dëborës së vjetër që është ngjeshur me kalimin e kohës. Kur thyhet shtresa e sipërme e dëborës, copa të mëdha akulli mund të rrëshqasin poshtë shpatit të malit, me shpejtësi 50 dhe 80 kilometra në orë.

Gjithashtu ortekët e erës krijohen kur një përzierje dëbore e porsa rënë që përbëhet nga flokë kristali dhe kokrriza, lloji i dëborës si pluhur që pëlqehet nga skiatorët, shpërndahet në ajër nga një shkulm i fortë ere.

Duke qenë e lehtë, dëbora ngrihet në ajër dhe mund të bjerë poshtë në luginë me një shpejtësi mbi 300 kilometra në orë. Në këtë rast, presioni i ajrit që i paraprin masës së borës, rritet kaq shumë, saqë orteku mund të shkulë çatitë, madje edhe t’i rrënojë shtëpitë brenda disa sekondash.

Ortekët mund të parashikohen me paralajmërimin e ndryshimeve klimatike në zona të caktuara, por rreziku asnjëherë nuk është i evitueshëm.

Skiatorët, alpinistët dhe banorët e zonave të thella malore duhet të presin derisa shpatet e maleve të kontrollohen për të parë nëse janë të sigurta.

Gjithashtu, duhet të vendosen shenja paralajmëruese në zonat ku rrezikshmëria nga ortekët është më e lartës.

Rreziku nga ortekët mund të minimizohet nëse mbillen pemë, duke rritur stabilitetin e shpateve dhe duke ndihmuar për të zvogëluar dëmtimet më tej në luginë.

Kosova nuk bën pjesë në zona të rrezikshmërisë së ortekëve, por në vitin 2012 një ortek në fshatin Restelicë, fshat i thellë në rajonin e Gorës, kishte mbuluar disa shtëpi të familjes Reka.

Ai ortek u mori jetën 10 anëtarëve të kësaj familje, ndërsa vajza e vogël Amsera, atëherë 7 vjeçe, ishte nxjerrë e gjallë nga gërmadhat e shtëpisë.

Ndërsa me 26 janar të vitit 2019 një person kishte vdekur pasi kishte rënë ortek në Brezovicë.

Sot ka ndodh një ortek i borës në Brezovicë, ku sipas njoftimeve janë shpëtuar katër persona.

Më poshtë ju sjellim disa këshilla të përgatitura nga ekipi i Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës

Rreziku nga ekspozimi në temperatura të ftohta

Muajt e dimrit në malet e rajonit tonë karakterizohen me temperatura tejet të ulëta, shpesh edhe të pa parashikuara në temperatura ekstreme.

Andaj në çdo planifikim të aktivitetit tuaj keni kujdes në veshmbathje adekuate.

Veshmbathja për sezonin dimëror është më komplekse dhe kërkon kujdes të detajuar për përzgjedhjen e veshmbathjes dhe pajisjeve përcjellëse.

Ekspozimi i gjatë në temperatura të ulëta sjell Hipoterminë e cila mund të sjellë pasoja fatale.

Ekspozimi i pjesëve ekstreme të trupit në temperatura të ftohta të përcjella me erëra të ftohta shkakton morthin, lëndim i indeve të trupit e cila shpesh shkakton pasoja të pa rikuperueshme.

Rreziku nga rrëshqitjet

Terrenet e pjerrëta të njëjtat që kalohen me lehtësi duke ecur gjatë verës, në dimër marrin forma të tjera.

Ngrirja e sipërfaqeve të pjerrëta paraqet rrezik permanent për rrëzime dhe rrëshqitje aksidentale të cilat janë rrezik i drejtpërdrejt për bjeshkatarët.

Në ngjitjet bjeshkatare në sezonin dimëror obligoheni që të pajiseni me pajisje të nevojshme dhe standarde të sigurisë, konform shkallës së vështirësisë.

Në terrene të pjerrëta dhe të ekspozuara ju nevojiten: Helmeta, kazma alpiniste dhe kthetrat.

Përveç posedimit të tyre duhet paraprakisht të trajnoheni dhe praktikoni përdorimin e duhur të tyre.

Rreziku nga orteku

Gjatë planifikimit dhe përzgjedhjes së itinerarit tuaj në ngjitjet dimërore kujdesuni që të evitoni vende që kanë potencial të rrezikut për orteke.

Informohuni dhe studioni fenomenin e ortekut, vendet me rrezikshmëri të lartë në zonën ku realizoni aktivitetin.

Mos harroni të pajiseni me setin e sigurisë së ortekut, dhe praktikoni për përdorimin e duhur dhe efikas të tyre.

Pajisjet e nevojshme të sigurisë për ortek janë: radio dhënësi dhe marrësi, sonda dhe lopata (sidomos për ski alpinistët është e domosdoshme).

Mbi të gjitha masat preventive janë më të rëndësishmet.

Përcjellni parashikimin e motit, ndryshimet fizike në sipërfaqet e mbuluara me borë, që karakterizojnë shenja paralajmëruese të rrezikut apo shenjat vizuele që njihen si "zëri i maleve".

Mos i harroni disa rregulla të arta:

Mos u ngjitni në male të vetmuar.

Njoftoni të tjerët për itinerarin e lëvizjes.

Përdorni telefonat mobil dhe kujdesuni për mbushjen e tyre.

Mbani me vete çantën e ndihmës së parë.

Mos i tejkaloni limitet.

Për çdo urgjencë lajmërohuni në numrat: 112  dhe në numrin e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës +383 49 840 228./Motilokal.com