Një stuhi gjeomagnetike godet satelitët e SpaceX të Elon Musk

Një stuhi gjeomagnetike godet satelitët e SpaceX të Elon Musk

Të paktën 40 nga 49 satelitët ”Starlink”, të lëshuar nga SpaceX të enjten e kaluar u dëmtuan nga një stuhi gjeomagnetike dhe po ri-hyjnë ose do të ri-hyjnë së shpejti në atmosferë pa ndonjë rrezik përplasjeje, njoftoi kompania e Elon Musk në një deklaratë.

Stuhitë e tilla diellore shkaktohen nga shpërthime të fuqishme në sipërfaqen e diellit, të cilat nxjerrin jashtë plazma dhe fusha magnetike që mund të godasin Tokën.

Starlink është oferta e Musk për të ofruar internet me shpejtësi të lartë duke përdorur mijëra satelitë në orbita.

49 satelitët e fundit u vendosën rreth 210 km mbi sipërfaqen e Tokës. SpaceX tha se çdo satelit arriti fluturim të kontrolluar pasi u dërgua më 3 shkurt. Megjithatë, një ditë më vonë, stuhia gjeomagnetike goditi Tokën. Kjo stuhi e ngrohu atmosferën dhe e bëri atë shumë më të dendur sesa pritej.

Jacob Geer, kreu i Agjencisë Hapësinore të Mbretërisë së Bashkuar për Mbikëqyrjen Hapësinore, tha se ai nuk pret që “ndonjë pjesë” e satelitëve të godasë në tokë. Pekini së fundmi akuzoi Shtetet e Bashkuara për sjellje të papërgjegjshme dhe të pasigurt në Hapësirë, pas “takimeve të afërta” në mes të stacionit kinez dhe satelitëve të kompanisë SpaceX të Elon Musk.

Tiangong, stacioni ri hapësinor i Kinës, është dashur të kryejë manovra për të shmangur përplasjen me një satelit Starlink në muajin korrik dhe një tjetër në muajin tetor, është thënë në ankesën e Pekinit të dërguar në agjencinë hapësinore të Kombeve të Bashkuara këtë muaj. Në ankesë është thënë se incidentet “kanë rrezikuar jetën dhe shëndetin e astronautëve në stacionin hapësinor të Kinës”./Motilokal.com