Bashkimi Evropian (BE) ka njoftuar se do të përfshihet në garën në hapësirë me një projekt me vlerë 6 miliardë euro.
Në deklaratën e bërë nga Komisioni i BE-së, thuhet se 2.4 miliardë nga projekti i sistemit satelitor “orbita e ulët e tokës” do të sigurohen nga buxheti i BE-së, ndërsa pjesa tjetër do të sigurohet nga vendet e BE-së.
Bëhet e ditur se projekti, me vlerë 6 miliardë euro, synon të sigurojë qasje të pandërprerë dhe afatgjatë në shërbimet e sigurta dhe me kosto efektive të telekomunikacionit satelitor të vendeve të BE-së në mbarë botën dhe do të kontribuojë në mbrojtjen dhe mbikëqyrjen e infrastrukturës kritike të nevojshme për sigurinë dhe mbrojtjen e shteteve anëtare të Unionit.
Në këtë mënyrë u informua se mund të sigurohet lidhja e pandërprerë e BE-së me rajonet me rëndësi strategjike për Unionin, si Afrika dhe Poli i Veriut, shkruan TRT.
U vu re se pjesa tjetër e projektit ishte e rezervuar për menaxhimin e trafikut hapësinor.
Dihet se investuesi më i shquar në këtë fushë është Elon Musk, themeluesi i prodhuesit amerikan të anijeve kozmike dhe raketave SpaceX.
Nga ana tjetër, Komisioni njoftoi se deri në fund të vitit, nga Fondi Evropian i Mbrojtjes do të shpenzohen 1.9 miliardë dollarë për kërkime në fushën e mbrojtjes dhe projekteve për ngritjen e kapaciteteve. Gjithashtu u bë e ditur se këto projekte do të diskutohen në takimin joformal të samitit që do të mbahet në Francë në datat 10-11 mars./Motilokal.com


