Agjencia Kombëtare e Mjedisit me masa për një sezon turistik cilësor

Agjencia Kombëtare e Mjedisit me masa për një sezon turistik cilësor

Agjencia Kombëtare e Mjedisit bëri të ditur sot disa nga masat që do të merren në bashkëpunim me pushtetin lokal për një sezon turistik veror më cilësor për vitin 2022.

Sipas AKM-së, pushteti lokal do të marrë disa masa kudo ku ka ujëra larës, në zonat e cilësuara të ndotura për trajtimin e ujërave urbane, para se ato të shkarkohen në det, si dhe për vendosjen e tualeteve, shtimin e koshave të mbeturinave, të dhomave të ndërrimit, kullave të vrojtimit në plazhet publike.

Ndër masat më të rëndësishme janë edhe informimi i publikut mbi cilësinë e ujërave bregdetarë të larjes dhe vendosja e tabelave informuese në kohë reale, si dhe përmirësimi i sistemit të menaxhimit të mbeturinave inerte si dhe mbeturinave urbane në plazhe.

AKM shprehet se do të vendosen në funksionim me efiçiencë të plotë dhe zgjerohen  kapacitetet e impianteve të trajtimit të ujërave urbane, që janë në funksion dhe ngritja e impianteve të trajtimit të ujërave në zona të vogla banimi.

“Duhet të jenë më të rrepta kontrollet në plazhe nga autoritetet kompetente (Inspektoratet) për ruajtjen e mjedisit nga mbetjet urbane dhe inerte si dhe për zbatimin dhe ruajtjen e rregullave higjieno-sanitare”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se gjatë sezonit veror të vitit 2021 u konstatua se ka pasur një fluks të shtuar pushuesish pothuajse gjatë bregdetit të Shqipërisë. Shkaktar kryesor të ndotjes në ujërat bregdetarë të larjes mbeten shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara në ujërat pritëse bregdetare në mënyrë direkte dhe indirekte.

“Një tjetër shkaktar për ndotjen mbeten impiantet e pastrimit, të cilat trajtojnë ujërat e ndotura, ato duhet të jenë në punë vazhdimisht”, njofton AKM.

Disa ditë më parë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “pastërtia e zonave turistike dhe disiplinimi i plazheve janë prioritete të punës përgatitore për sezonin turistik 2022”./Motilokal.com