Pas tre vitesh përgatitje, anija turistike më e madhe në botë është gati për të pritur pasagjerët e parë. Wonder of the Seas pritet të nis udhëtimin e saj të parë më 4 mars nga Florida.
Me një gjatësi prej 362 metrash dhe 18 kuverta, “Mrekullia e Detit” mund të zë deri në 6,988 vizitorë, si dhe 2,300 anëtarë të ekuipazhit. Fillimisht, ajo do të lundrojë pesë deri në shtatë ditë nga Florida në Karaibe, dhe më pas anija turistike do të udhëtojë në Mesdhe nga portet e Barcelonës dhe Romës.
Biletat për lundrimet në SHBA fillojnë nga 868 dollarë për person për shtatë netë sipas faqes së internetit Royal Caribbean. Për kroçerat mesdhetare, çmimi fillon nga 769 dollarë për tre netë, duke kaluar nëpër Romë, Napoli, Kapri dhe Barcelonë.
Brenda anijes së lundrimit ka shtatë "lagje", njëra prej të cilave përfshin të paktën 20,000 bimë. Ndër të tjera mund të gjeni edhe rrëshqitjen më të lartë në det, siç është cilësuar, një ekran gjigant buzë pishinës, si dhe një zip line.
Vonesat
Vlen të përmendet se anija fillimisht ishte menduar të dorëzohej në vitin 2021, megjithatë trazirat e vazhdueshme të pandemisë vonuan udhëtimet e saj të parë. Vitin e kaluar, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e kanë renditur udhëtimin me anije lundrimi si një nga aktivitetet më të rrezikshme në mes të një pandemie, me rrezikun e infeksionit që është jashtëzakonisht i lartë.
Megjithatë, masat janë lehtësuar muajt e fundit dhe në shkurt CDC e SHBA-së e renditi udhëtimin me anije lundrimi në kategorinë e rrezikut numër 3, që do të thotë se pasagjerët dhe ekuipazhi rekomandohen të vaksinohen plotësisht.
Në veçanti, Royal Caribbean kërkon që të gjithë pasagjerët mbi 12 vjeç të vaksinohen, ndërsa fëmijët nga 2 deri në 12 vjeç duhet të kalojnë një test negativ. Përdorimi i maskës kërkohet gjithashtu në shumicën e hapësirave të mbyllura të anijeve./Motilokal.com
