A e meriton natyra e bukur e Brezovicës këtë trajtim?!

A e meriton natyra e bukur e Brezovicës këtë trajtim?!

Nga Shkëlzen Rrecaj

Brezovica është një ndër destiancionet me të frekuentuara gjatë stinës së dimrit në Kosovë. Me një peizazh mahnitës të dekoruar nga bardhësia e borës padyshim mund të quhet mrekullia e Kosovës.

Vizitorët në këtë vend janë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare, nga Evropa, Serbia, Maqedonia që ia mësynë qendrës më të madhe të skive në Kosovë për t’i parë bukuritë përrallore të këtij vendi të jashtëzakonshëm.

Por çfarë i mungon Brezovciës?

Qendra turistike Brezovica e cila gjendet në Komunën e Shtimes, deri në janar të këtij viti është menaxhuar nga strukturat e shtetit të Serbisë.

Pas 22 vitesh, Kosova më në fund ka arritur që të fillojë menaxhimin e qendrës së skive Brezovica. Teleferiku ka nisur të funksionojë dhe punon çdo ditë, duke rritur edhe numrin e përdoruesve.

Edhe ski-lifti është lëshuar për operim dhe punon çdo ditë në Brezovicë.

Po ashtu turistët janë ftuar që për çdo shërbim që pranojnë në këtë ndërmarrje të kërkojnë kuponin fiskal.

A mjafton kjo?

Jo!

Në Brezovicë mungojnë kontejnerët e mbeturinave, shportat e vogla për mbeturina në pjesët e saj. Pasi atje në çdo cep mund të hasesh në mbeturina të hedhura nga turistët në mungesë të shportave.

Mbeturinat e hedhura deri në majën e Brezovicës mund të lënë përshtypje jo të mira nga vizitorët e shumë evropianë. Pamjet të cilat i ka kapur kamera e Motilokal.com nuk duken thjesht mungesë e kujdesit institucional, por është edhe një tregues i nivelit të vetëdijes qytetare.

Mungon ambulanca, urgjenca, nëse dikush mund të lëndohet nuk mundet të merr trajtimin e duhur.

Gjerat më kryesore që duhet t’i ketë një qendër e skive, Brezovica nuk i ka.

Në një intervistë për Motilokal.com prof. dr. Hysen Sogojeva, i cili është edhe Kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, ka deklaruar lidhur me interesim për të investuar në sektorin e turizmit nga investitor të huaj: “Promovimi nuk ka qenë në nivel dhe për këtë arsye të huajt hezitojnë të investojnë, sepse nuk kanë njohuri për mundësitë tona turistike. Në momentin kur promovimi të jetë në një shkallë të lartë mund të ketë edhe të interesuar për investime. Kushtet për investime kanë qenë të vështira derisa është bërë ligji i ri për investime. Shumë komuna kanë humbur projekte për shkak që e kanë pasur të caktuar me ligj për të dhënë tokën deri në 10 vjet, derisa është bërë ligji për 99 vjet për shfrytëzimin e truallit. Edhe siguria ndikon në investime. Por tani shihet që ka shtim të interesimit për të investuar. Ne fatkeqësisht kemi humbur Brezovicën, e cila është një aset i fortë i zhvillimit të turizmit. Tashmë duhet të bëjmë projekte të tjera që do t’i jepnin një shtysë zhvillimit të turizmit.”

“Çdo gjë që është bërë deri më sot si restorantet, hotelet, qendrat turistike këto janë falë sektorit privat. Dora e shtetit vërehet fare pak, për të mos thënë aspak. Shteti mund të ndikojë në infrastrukturë ligjore, rrugore, rrymë, ujë dhe kanalizime, do të thotë ta bëjë më të lehtë procesin e investimeve. Por edhe kjo lë shumë për të dëshiruar. Edhe njëherë po e theksoj se krejt ky zhvillim që përfshin restorantet ekskluzive, hotelet më të mira, etj. është falë sektorit privat”, është shprehur Sogojeva.

Ndërsa sa i përket mosprivatizimit të qendrës turistike dimërore Brezovica, Sogojvea ka thënë: “Projekti i Brezovicës ka qenë 410 milionë euro. Kam pasur fatin të jem në rrjedha të projektit, i cili ka kushtuar diku rreth 200 mijë euro. Kur është shpallur tenderi, kanë konkurruar disa subjekte, por ka mbetur vetëm njëri, i cili ka ofruar 410 milionë euro ku e kemi humbur për 20 milionë euro. Në projektin e Brezovicës është paraparë rritja e shtegut të skive nga 4 kilometra që është sot deri në 100 kilometra, teknika e fundit e ashensorëve, 6000 persona janë menduar të punësohen, vërtet ka qenë një projekt i madh. Unë personalisht për dështimin e këtij projekti e fajësoj drejtpërdrejt Qeverinë, në veçanti ish-ministren Mimoza Kusarin.”

Brezovica tashmë është e mbushur me vizitorë të shumtë, por kërkon dorën e shtetit për ta ngjallur më shumë dhe për ta bërë qendrën më të zhvilluar turistike, që njihet edhe si perla e Ballkanit./Motilokal.com