Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) përmes një njoftimi ka bërë të ditur se pas ditës së shënuar të 14 marsit, një nga mënyrat më të mira, për të kuptuar ardhjen e pranverës është kthimi i lejlekëve (Ciconia Ciconia) në viset tona. Pikërisht sot, gjatë testimit të kamerës së vendosur përballe platformës folezuese në Gjirokastër u shfaq një nga individët e çiftit folezues të kësaj foleje.
Sipas PPNEA-së ky individ u pa duke mirëmbajtur folenë, e cila nuk kishte më të njëjtën formë si shtatorin e kaluar, para se të fillonin fluturimin për mbijetesë drejt Afrikës. E dëmtuar dhe e amortizuar nga dimri, fatmirësisht foleja është ende mbi platformën e instaluar. Tashmë mashkullit i kanë mbetur rreth 3 ditë kohë, për ta rregulluar para mbërritjes së partneres së tij në fole.
“Pavarësisht se i kanë mbijetuar rreziqeve, së mijëra kilometrave shtegtimi nga Afrika deri në Shqipëri, ky lloj gjendet sërish përballë të njëjtave rreziqeve siç janë: vrasja e paligjshme, përplasja me infrastrukturën energjetike, elektroshoku, humbja e habitateve dhe prishja e foleve”, thekson PPNEA.
PPNEA shpreson që çifti që monitorohet nga Bird Brother, të ketë përsëri një sezon të suksesshëm folezimi, siç ka patur këto 3 vitet e fundit, që nga vendosja e platformës folezuese.
Ekipi i PPNEA-s ju është mirënjohës dhe ju lutet të raportoni rastet kur vëzhgoni këtë lloj në vendin tonë./Motilokal.com


