Balluku: TEC-i i Vlorës do të vihet në funksion, në korrik fillon prodhimi

Balluku: TEC-i i Vlorës do të vihet në funksion, në korrik fillon prodhimi

Termocentrali (TEC) i Vlorës pritet që të vihet së shpejti në funksion. Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në emisionin “Opinion”. Balluku u shpreh se projekti për TEC-in do të zhvillohet me një kompani amerikane, madje duke filluar nga muaji Korrik do të fillojë prodhimi me anë të disa anijeve të posaçme.

“Do të injektojmë nga porti i Vlorës. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) nuk ka sasinë që është parashikuar, për shkak të situatës në mbarë botën. Për TEC-in e Vlorës, ka nisur puna dhe do të mbarojë sipas parashikimeve. Niset puna për të bërë planin e biznesit dhe projektin. TEC-i është pa funksion, kush ka bërë atë lloj vepre, duhet edhe të mbajë një përgjegjësi. Shteti shqiptar vazhdon të paguajë për kredinë. Ajo që ndodh është që ka nisur projekti për TEC-in, të cilin e kemi me kompaninë amerikane, Accelerate Power. Duke filluar nga muaji Korrik do të fillojë prodhimi me anijet që prodhojnë, të cilat do të lidhen me TEC-in. Ne nga TEC-i do të fitojmë prodhimin e munguar, atë që blejmë nga importi. Kosto varet nga nafta dhe gazi. Përveçse do kemi TEC-in që do funksionojë, ne kemi arritur një marrëveshje tjetër midis TAP-it dhe Accelerate Power. Do të ndërtohet tubacioni nga Vlora në Fier, për të injektuar nga porti i lundrueshëm i Vlorës. Pra, do të injektohet nga e kundërta, nga Vlora në TAP”, u shpreh Balluku./Motilokal.com