Kosova pritet të përfitojë 234 milionë euro nga MCC për energji elektrike

Kosova pritet të përfitojë 234 milionë euro nga MCC për energji elektrike

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka njoftuar se ka nisur procedurat për marrjen e grandit nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MMC) në vlerë prej 234 milionë eurove, për investime në sektorin e energjisë elektrike.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati u shpreh se pas gjithë polemikave se ky projekt nuk do ti jepet Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me ShBA-në përmes programit “Kompakt” të MCC-së, Kosova do të përfitoj mbi 200 milionë euro në sektorin e energjisë.

“Kam kënaqësinë që pas gjithë atyre polemikave dhe fjalëve të paraqes para jush kërkesën për miratimin e nismës për programin kompakt me MCC-në për marrëveshje të bashkëfinancimit. Për këtë marrëveshje të bashkëfinancimit nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e SHBA-së janë angazhuar dhjetëra persona në Uashington dhe Kosovë. Ministria e Financave dhe Transfereve ka punuar ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë që ka qenë bartëse e negociatave për të siguruar bashkëfinancim në një program që pritet të kapë shumën mbi 200 milionë euro e që për Kosovën kjo shënon 2.5% të GJDP-së. Prioritet kryesor i kësaj marrëveshje është sigurimi i qëndrueshmërisë së sektorit energjetik, duke siguruar rezerva në energji”, u shpreh Murati.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli bëri të ditur se nga ky projekt, Kosovës për 15 vite do t’i ofrohen investime të cilat do të jenë në të mirë të stabiliteti energjetik.

Ajo shtoi se ky kompakt projekt pritet që të hidhet për votim në bordin e MCC-së në qershor të këtij viti.

Programi Kompakt do të jetë në vlerë prej 234 milionë dollarëve dhe do të përfshijë dy projekte:

1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet të lartë mbi 200 MWh)

2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë.

Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë. Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe shpenzimit. Bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, që do të thotë, për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, dhe shfrytëzimit të saj kur konsumi është i lartë.

Tutje thuhet se bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë me burime solare, të erës apo të ngjashme, gjë që do ta përshpejtojë kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë.

Projekt i dytë përfshinë dy aktivitete:

1. Zhvillimi i fuqisë punëtore energjetike për të ardhmen, që synon të krijojë një program të studimit që do të zhvillojë aftësitë e individëve që do të punojnë në sektor të energjisë, kështu duke e mbështetur edhe investimin me MCC dhe

2. Fuqia punëtore gjithëpërfshirëse në sektor të energjisë, do të synojë përfshirjen më të madhe të grave në sektor përmes disa nën-aktiviteteve siç janë; bursat për studime universitare në fushën e energjisë të dedikuara për gra, mbështetje e punëdhënësve në sektor për ambient më të përshtatshëm për gra, rritja dhe fuqizimi i rrjetit të grave në energji, rritja e ndërmarrësisë së grave dhe dhënia e çmimit për vendet më të mira të punës për gra.

Investimet e Programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe gjatë përfundimit të fazës zhvillimore dhe negociatat me partnerët tanë nga MCC, do të njoftojmë publikun për zhvillimet dhe detajet përfundimtarë të projektit./Motilokal.com