
Qendra për Studimin dhe Ruajtjen e Shpendëve të Shqipërisë (AOS) përmes një shkrimi ka treguar shkakun dhe pasojat e shfaqjes së gripit të shpendëve dhe ngordhjen e një numri të madh të pelikanit kaçurrel.
Shkrimi i plotë:
Pasojat që ka sjellë gripi i shpendëve në popullatat e shpendëve të egër dhe veçanërisht të llojeve bashkëfolezues apo bashkështegtarë janë dramatike. Situata është tepër e rendë dhe ngordhje kaq masive të shpendëve të egër, së paku të disa llojeve, janë regjistruar tepër rrallë ose asnjëherë në të kaluarën.
Bota në me pak së tri javë humbi rreth 5% të popullatës së pelikanit kaçurrel. E cila u godit nga ngordhjet masive që u regjistruan në kolonitë greke të pelikanit kaçurrel dhe veçanërisht në atë të Prespës së Vogël e cila është edhe kolonia më e madhe në botë e këtij lloji. Greqia humbi rreth 1/3 e popullatës së pelikanit kaçurrel në këto ditë.
Gripi i shpendëve godet kryesisht shpendët bashkëfolezues por edhe ata bashkështegtarë. Nga vetë fjala “bashkëfolezues”, kuptohet së këta janë shpendë të cilët folezojnë bashkë në të njëjtin vend duke formuar ato që ne i quajmë koloni. Në këto koloni mund të këtë mijëra çifte shpendësh, të cilët i ndërtojnë çerdhet ngjitur me njëri – tjetrin. Nëse një prej shpendëve infektohet nga ky virus atëherë virusi shpërndahet si zjarri në një shirit baruti në të gjithë koloninë dhe për pasojë dëmet janë katastrofike.
E njëjta gjë edhe për rastin e shpendëve bashkështegtarë, të cilët jo domosdoshmërisht janë bashkëfolezues por shtegtojnë në tufa të mëdha për të shkuar në vendet e folezimit tani në pranverë ose të dimërimit në vjeshtë. Edhe në këtë rast nëse kemi një individ të infektuar rreziku që të shpërndahet tek shpendët e tjerë që shtegtojnë së bashku me të është i madh.
Natyrisht në këtë situatë, më pak të rrezikuar janë shpendët vetmitarë që shtegtojnë si të tillë por edhe folezojnë si të tille.
Cili është shkaku që qëndron në themel të gripit të shpendëve dhe cilat janë pasojat që ka sjellë dhe si mund të zhvillohen ato në të ardhmen?
Në rrënjë të këtij problemi, apo shkaku kryesor për këtë epidemi është vetë njeriu me veprimet apo mos veprimet e tij. Pse?
Ajo që ka ndodhur është se gjatë shekullit të kaluar bota humbi më shumë së gjysmën e sipërfaqeve ligatinore. Ligatinat përfaqësojnë habitatet e vetme të përshtatshme për folezimin e shumë llojeve të shpendëve të ujit. Kësisoj shpendët nuk kanë me së ku të folezojnë ose thënë më saktë hapësirat e folezimit janë ngushtuar së tepërmi. Në copëzat e vogla të habitateve të përshtatshme që kanë mbetur ende shpendët janë të detyruar të krijojnë mbipopullime, duke rritur kësisoj shanset e lindjes së epidemive.
Le të marrim një shembull nga vendi ynë dhe rastin e një lloji, pelikanit kaçurrel, marrë për bazë që popullata e të cilit është prekur dramatikisht nga vala e fundit e gripit të shpendëve.
Në të kaluarën është vërtetuar së pelikani kaçurrel në Shqipëri folezontë së paku në 3 mjedise. Në Divjakë-Karavasta ku folezon edhe sot, Liqenin e Maliqit apo Kënetën e Maliqit, që ishte një prej liqeneve me biodivërsitet avifaunistik më të lartë në vend si dhe në Liqenin e Prespës së Vogël, pikërisht në vijën kufitare me shtetin fqinj të Greqisë. Madje një antropolog austriak, Hugo Bernatzik në vitet 30 të shekullit të kaluar, ka shkruar së Pelikani Kaçurrel folezonte edhe në Kënetën e Tërbufit.
Gjatë shekullit të kaluar, Liqeni i Maliqit u tha, në Liqenin e Prespës së Vogël në vitet 70 u devijua lumi i Devollit, i cili e mbushi me sedimente gjithë pjesën shqiptare të liqenit duke e shkatërruar atë njëherë e përgjithmonë, Këneta e Tërbufit u tha, Këneta e Durrësit u tha, shumë sipërfaqe të tjera ligatinore në të gjithë Ultësirën Bregdetare Shqiptare u thanë duke filluar nga grykëderdhja e Bunës në veri deri në grykëderdhjen e Pavllos në jug.
Kësisoj shpendët e egër nuk kanë më as ku të ushqehen as ku të folezojnë. Madje është tepër shqetësues fakti se edhe ato pak mjedise ligatinore që kanë mbetur, në Shqipëri përfaqësojnë habitatet më të rrezikuara nga plane shkatërrimtare urbanizimi, përveç se cilësia e tyre është përkeqësuar së tepërmi si pasojë e ndotjes së madhe që sjellin vazhdimisht lumenjtë.
Në të sotmen ekosistemet natyrore ligatinore kryesore përbëjnë rreth 2.7 % të sipërfaqes së vendit dhe kësisoj përfaqësojnë habitatët më të rralla të Shqipërisë. Nga kjo sipërfaqe rreth 1.5 % janë ligatina bregdetare dhe rreth 1.2 % ligatina tokësore me ujë të ëmbël. Pavarësisht se janë kaq të rralla ky fakt nuk merret në konsideratë nga politikbërësit dhe vendimmarrësit dhe sërish, pikërisht në këto ekosisteme janë të përqendruara plane investimesh që do të çojnë në shfarosje të popullatave të shpendëve të egër. Këtu mund të përmendim rastin më të freskët të Aeroportit të Vlorës që planifikohet të ndërtohet në ligatinën e Vjosë-Nartës etj.
Nëse situata vazhdon me këto ritme, përsëritje të pasojave të tilla nga gripi i shpendëve do të jenë shkatërrimtare për popullatat e shpendëve të egër por edhe për të gjithë shpendarinë e butë në vendin tonë. Dhe kjo situatë nuk është prej atyre që mund të zgjidhet në një ditë apo me masa afatshkurtra, por kërkon një veprim afat mesëm dhe afatgjatë me qëllim përmirësimin e gjendjes së ekosistemeve natyrore dhe rivendosjen e ekuilibrave natyrorë në vend.
Me ardhjen e stinës së ngrohtë situata me më shumë gjasë pritet të përmirësohet, megjithatë qëndron edhe rreziku që të përkeqësohet në nivele shumë herë më të mëdha se aktualisht. Kjo lidhet me faktin se shumë prej llojeve të shpendëve bashkefolezues ende nuk janë mbledhur nëpër kolonitë e tyre. Kjo pritet të ndodhë që në fillim të muajit të ardhshëm, nëse virusi do të qarkullojë atëherë ritmi i shpërndarjes mund të jetë tejet i shpejtë.
Së dyti, gripi i shpendëve kalon nga shpendët e egër tek ata të butë nga sa është vlerësuar deri me tani nga ekspertët, megjithatë nëse nuk merren masat e duhura vektori ka shumë gjasë që të kthehet në të kundërtën dhe përhapja e gripit të shpendëve të marrë përmasa edhe më të rënda.
Në media është raportuar gjatë ditëve të fundit se pula të ngordhura janë hedhur kanaleve apo janë asgjësuar jashtë standardëve përkatëse. Hedhja e pulave të ngordhura në mjedise natyrore rrezikon të infektojë shpendët e egër që janë pjese e atyre habitateve dhe këta të fundit mund ta shpërndajnë edhe më tej virusin. Prandaj në këtë situatë është thelbësore që shpendët e butë të infektuar të asgjësohen në mënyrën e duhur./Motilokal.com