
Kosova pritet të bëhet me termocentralin me të madh diellor në Evropë. Lajmi është njoftuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti në mbledhjen e djeshme të qeverisë dhe sot ambasadori gjerman Jorn Rohde ka njoftuar se shteti i tij po investon mbi 60 milionë euro për energji diellore në Kosovë.
Rohde me anë të një postimi në Twitter është shprehur se kjo po bëhet për të mbështetur tranzicionin botëror të energjisë.
“I lumtur që po nisim investimin në energji diellore për Kosovën me një investim prej 60.6 milionë euro nga Gjermania bashkë me kryeministrin Albin Kurti”, ka theksuar ai.
Projekti “Solar4Kosovo’’ do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë e që do të jetë bashkëdyzim i dy komponentëve: distriktit solar të ngrohjes (Termokos) dhe fuqisë fotovoltaike (KEK). Me këtë projekt sistemit të ngrohjes së Prishtinës do t'i shtohen rreth 70 MW.
Ky projekt do të kushtojë 64 milionë euro dhe do të financohet nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Projekti do të financohet nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Ky projekt mes tjerash, përfshinë ndërtimin e kolektorëve diellorë prej përafërsisht 69 mijë metra katrorë.
Me masat për zgjerimin e rrjetit që synojnë shpërndarjen e nxehtësisë nga sistemi termik diellor, në rrjetin e ngrohjes qendrore do të kyçen deri në 12 mijë familje ose 60 mijë banorë.
Po ashtu, projekti do të reduktojë kërkesën për energji elektrike për qëllime ngrohjeje dhe do ta rris cilësinë e ajrit, me rreth 40 mijë tonelata kursime të dyoksidit të karbonit në vit.
Do të kontribuojë në diversifikim të miksit të gjenerimit të energjisë së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përmes komponentës së fuqisë fotovoltaike./Motilokal.com