WWF Adria fton të gjithë individët ta shënojnë Orën e Tokës, duke fikur dritat

WWF Adria fton të gjithë individët ta shënojnë Orën e Tokës, duke fikur dritat

Të shtunën me 26 mars, një nga nismat më të mëdha mjedisore në botë është Ora e Tokës, që do të bashkojë sërish njerëzit në gjithë globin për të treguar përkushtimin e tyre ndaj planetit Tokë.

WWF Adria përmes një komunikate i fton edhe kryetarët e të gjitha komunave që të fikin ndriçimin në ndonjë objekt apo pjesë të veçantë të qyteteve të tyre të shtunën nga ora 20:30 deri në 21:30, dhe kështu, të bëhen pjesë e shënimit të kësaj dite.

Përderisa biodiversiteti i botës po zvogëlohet në një shkallë të paprecedent, dhe rreth një milionë specie janë të kërcënuara me zhdukje, lëvizja më e madhe në botë për ruajtjen e planetit ka për qëllim të mobilizojë individët, bizneset, dhe qeveritë, të jenë pjesë e bisedimeve dhe zgjidhjeve që nevojiten për një të ardhme të qëndrueshme.

Në këtë kohë sfiduese, Ora e Tokës paraqet një moment të solidarizimit, dhe një mundësi për t’u kujdesur për njëri-tjetrin e shtëpinë tonë të përbashkët.

Ora e Tokës, e cila filloi në vitin 2007 si ngjarje simbolike e ndaljes së dritave në Sidnei të Australisë, sot shënohet në mbi 190 shtete dhe territore. Këtë vit në rajonin tonë fokusi i kësaj ngjarjeje do të jetë ngritja e vetëdijes për llojet e kafshëve të cilat po zhduken me ritëm shumë të shpejtë.

‘Ftojmë të gjithë ata që duan të fikin dritat për planetin Tokë, të postojnë fotografitë e tyre me mbishkrimin #OraeTokesKosove. Shpresojmë që edhe ju si gazetarë do t’i jepni hapësirë kësaj ngjarjeje të rëndësishme për planetin tonë”, thuhet në njoftimin e WWF Adria./Motilokal.com