Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se ndërmarrja komunale “Hortikultura” me kërkesë të Drejtorisë së Parqeve ka përfunduar pastrimet sanitare në gjithë qytetin e Prishtinës.
Përmes një komunikate, komuna thekson se në kuadër të këtij pastrimi, është dhënë forma e drurëve dekorativ, gjegjësisht kurorës së tyre.
“Ju njoftojmë se NPL “Hortikultura” me kërkesë të Komunës së Prishtinës, përkatësisht Drejtorisë së Parqeve, deri më tani ka përfunduar pastrimet fito sanitare në të gjithë qytetin e Prishtinës. Në kuadër të pastrimit fito sanitar është edhe dhënia e formës së drunjve dekorativ, gjegjësisht kurorës së tyre, prerja e degëve të thara dhe të thyera, si dhe degëve potencialisht të sëmura.”
Më tej thuhet se me kërkesë të Komunës së Prishtinës, degët të cilat janë krasitur, janë bartur në lulishten e kësaj ndërmarrjeje.
“Qëllimi i krasitjes është bazuar në aspektin sanitar-estetik, ruajtja e ekuilibrimit të organeve nëntokësore dhe mbitokësore të bimëve, që konsiston në baraspeshimin e marrjes së ujit dhe materieve ushqyese dhe shpenzimit të këtyre materieve nga vetë bima”, theksohet në njoftim.
Komuna e Prishtinës thotë se e gjitha kjo bëhet në drejtimin e ruajtjes së gjendjes së përgjithshme shëndetësore të vet bimës.
“Secila bimë i ka kërkesat dhe nevojat sipas gjendjes së vet habitusit të saj, e konform kësaj kryhen edhe operacionet e krasitjes”, thuhet në njoftim./Motilokal.com


