MMPHI publikon dokumentin ‘Tipologjia dhe performanca energjetike e ndërtesave të banimit’

MMPHI publikon dokumentin ‘Tipologjia dhe performanca energjetike e ndërtesave të banimit’

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka publikuar dokumentin “Tipologjia dhe performanca energjetike e ndërtesave të banimit në Republikën e Kosovës”. Ky dokument u quajt më i rëndësishmi pas akteve nënligjore të nxjerra nga Republika e Kosovës

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Liburn Aliu, gjatë publikimit të këtij dokumenti tha se furnizimi i sigurt me energji elektrike por edhe performanca e ndërtesave në aspektin e energjisë është një nga prioritetet e politikave vendore edhe ndërkombëtare.

“Marrë parasysh se ndërtesat kanë potencial në uljen e konsumit energjetik (rreth 40%), ky dokument është një nismë që do të kontribuojë në rregullimin e fushave siç janë efiçienca e energjisë, reduktimi i emetimeve të gazrave serrë, si dhe rritja e energjisë së rinovueshme në konsumin e energjisë, si pjesë e përmbushjes së obligimeve që rrjedhin nga direktivat evropiane dhe Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Aliu.

Ai theksoi se sigurimi i informacioneve mbi performancën energjetike për stokun aktual të ndërtesave dhe opsioneve për renovimin me masa efiçiente të energjisë, duke përfshirë kështu vlerësimin për potencialin e kursimit të energjisë, është një nismë që paraqet bazë solide dhe sistematike për çdo zhvillim të mëtutjeshëm në këtë fushë.

“Përmes publikimit të dokumentit të Tipologjisë dhe Performancës Energjetike, sot kemi një nga hulumtimet më domethënëse ne lidhje me Efiçiencën e Energjisë së ndërtesave në Kosovë, e që do të shërbejë si udhërrëfyes e si referencë për këtë temë në të ardhmen”, tha ministri Aliu.

“Falënderoj Qeverinë Gjermane, përkatësisht organizatën e GIZ Kosovo, dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për  mbështetjen e për kontributin e dhënë për realizimin e këtij dokumenti, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme që po e japin në këtë fushë, sa të rëndësishme e po aq edhe domethënëse për Republikën e Kosovës”, u shpreh ministri Aliu.

Ambasadori Gjerman Jörn Rohde në fjalën e tij citoi se: “Ky vlerësim kyç tregon qartë potencialin e madh për përmirësimin e efikasitetit të energjisë në Kosovë. Mund të sjellë kursime deri në 40% të konsumit të energjisë. Kjo do të thotë kursime deri në 20 milionë euro në vit! Investimi i këtyre kursimeve në efiçencën e energjisë dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë mund të nxisë kompanitë dhe punësimin në këtë sektor. Tutje, familjet do të pranonin fatura më të ulëta mujore, komoditet dhe kushte më të mira jetese si dhe mjedisi do të ishte më pak i ndotur. Jam i kënaqur që Gjermania, me ekspertizën e GIZ, do të mbështesë Kosovën në hartimin e politikave që kontribuojnë në hartimin dhe zbatimin e strategjisë së rinovimit të ndërtesave për të zbatuar këto gjetje të rëndësishme.”

Udhëheqësi i Projektit për Energji i GIZ-it, Avni Sfishta, tha se ky projekt ka filluar në vitin 2018 dhe është punuar nga një grup ekspertësh. Ai e quajti këtë Tipologji si një nga dokumentet më të rëndësishme në Kosovë pas akteve nënligjore që i ka Kosova.

“Ky proces ka filluar në vitin 2018 dhe ka marrë një vit punë intenzive e me të cilin është marrë grupi i ekspertëve. Është dokumenti më i rëndësishëm ndoshta pas akteve nënligjore që i ka prodhuar Kosova në fushën e efiçencën së energjisë deri më tani. Do të shërbejë si një manual se çfarë duhet të bëhet në rastet e renovimeve të ndërtesave në sektorin rezidencial. të dhënat që janë në këtë tipologji, janë të dhëna statistikore e që janë marrë nga ASK-ja që do të thotë se të gjitha të dhënat dhe elementet që janë aty të të faktuara në aspektin e besueshmërisë së të dhënave”, tha Sfishta./Motilokal.com