Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ka publikuar platformë online për raportimin e krimeve mjedisore në të gjithë vendin.
“Platforma Syri Gjelbër shërben për të mbledhur rastet e krimit mjedisor në mënyrë që të raportohen më vonë tek institucionet përkatëse si: inspektorati shtetëror, bashkitë apo administratat rajonale të zonave të mbrojtura”, ka njoftuar PPNEA.
PPNEA thekson se këto krime janë të pranishme kudo, në çdo veprim që dëmton mjedisin natyror dhe gjithçka që gjendet në të, si prerja e pemëve, gjuetia e paligjshme, zjarrvënia e qëllimshme, helmimi, ndotja e habitateve, etj.
Sipas shoqatës, platforma online është lehtësisht e përdorshme, për këdo që ka vullnetin për të raportuar një krim mjedisor.
“Përpunimi i kësaj platforme u realizua në kuadër të projektit “Zonat e Mbrojtura për Natyrën dhe Njerëzit”, tha PPNEA./Motilokal.com
