
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dalë me një njoftim të ri për sa i përket brendit të produkteve Kinder, ku ka bërë të ditur se është marrë vendim për tërheqjen e tërësishme të këtyre produkteve.
“Sot pas marrjes se lajmërimit nga RASFF sistemi për dyshim në konatminim të mundshëm me bakterien salmonella të produkteve Kinder të prodhuesi Ferrero, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga distribuomi dhe shitja nga distributori ELKOS në tërë Republikën e Kosovës. Në të njëjtën kohë të gjithë konsumatorët që kanë blerë këto lloje të produkteve t’i kthejnë në pikat blerëse dhe mos t’i konsumojnë ato. Për të hequr dyshimet për të gjitha lotet e ndryshme të cilat mund të jenë prezentë në tregun e brendshëm, AUV pas marrjes se njoftimit sot ne mesditë nga RASFF vendos tërheqjen e tërësishme të produkteve KINDER”, thuhet në njoftimin e AUV-it.
AUV thekson se pasi që të verifikohen të gjitha sasitë e mbledhura sipas lotëve të prodhimit dhe datave të skadncës, do të vendosët për hapat e mëtutjeshëm.
“Gjatë gjithë kohës konsumatorët do ti mbajmë të informuar për secilin ndryshim të mundshëm”, thuhet në njoftim.
Edhe gjatë ditës së sotme Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, gjithashtu kishte njoftuar se ka hequr disa produkte të brendit Kinder, dhe kishte nisur hulumtimet mbi mundësitë shitjes së këtij produkti edhe në Kosovë./Motilokal.com