Maqedonia e Veriut ndërton parkun e parë diellor

Maqedonia e Veriut ndërton parkun e parë diellor

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, bashkë me përfaqësuesit e Qeverisë, zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrat, si dhe drejtorin e përgjithshëm të EEM Vasko Kovaçevski, dje morën pjesë në përfundimin e ndërtimit të termocentralit fotovoltaik “Osllomej”, ku filloi periudha e testimit të pajisjeve të instaluara plotësisht.

Në vazhdim e përcjellim në mënyrë të plotë deklaratën e Kryeministrit Kovaçevski:

Qëllimi i Qeverisë së bashku me institucionet dhe partnerët është që të bëhemi një vend që nga burimet energjetike djegëse dominuese, drejtohet drejt kapaciteteve energjetike të cilat do ta përdorin diellin që e kemi në bollëk gjatë tërë vitit, si dhe erën, ujin dhe gazin. Prandaj, me kënaqësi e pranova ftesën, që sot të marr pjesë në fillimin e periudhës së testimit të pajisjeve të instaluara në termocentralin fotovoltaik 10 megavat në pronësi të EEM-së, i ndërtuar në ish vendburimet e thëngjillit në REK “Osllomej”.

Është vërtet për të respektuar që pikërisht në këtë vend që dikur ishte ndotës i mjedisit jetësor, tashmë kemi kapacitetin që është përgatitur nga dielli, për të prodhuar energji të pastër dhe të gjelbër.

Përfitimet e këtij investimi janë të shumëfishta. Përveç që me prodhimin vjetor të këtij termocentrali të ri fotovoltaik nga 15 deri në 17 gigavat në orë, do të furnizojmë me energji elektrike nevojat e rreth 2800 amvisërive, bëjmë edhe rikultivimin dhe përmirësimin e 15 hektarëve. Me këtë si Qeveri shfaqim shqetësim real për mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Ky projekt ka një rëndësi të madhe, pasi që është projekti i parë me të cilin zëvendësohet prodhimi i energjisë elektrike nga teknologjia ndotëse në atë të pastër. I njëjti është shembull i një projekti të mirë-zbatuar në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore dhe si i tillë është shembull i projekteve të ardhshme të tranzicionit energjetik në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo është arsyeja pse ky projekt u zbatua me mbështetjen kreditore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila i njohu përpjekjet e vendit për t’u fokusuar në prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtërishme.

Lëshimi në përdorim zyrtar e këtij termocentrali fotovoltaik, menjëherë pas përfundimit të periudhës së testimit, nënkupton fillimin e tranzicionit energjetik të REK “Osllomej” dhe Rajonit të Kërçovës.

Nuk ndalemi këtu. EMV-ja është duke punuar në një studim të ri për një tjetër termocentral prej 10 megavat dhe janë nënshkruar kontratat për ndërtimin e dy termocentraleve të tjera fotovoltaike, me çka “Osllomej” nga thëngjilli do të kalojë tërësisht në shfrytëzimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë.

Marrëveshjet nga njëra palë janë nënshkruar nga EMV-ja, si partner publik dhe nga ana tjetër me “Fortis Enerxhi” nga Turqia në një termocentral, ndërsa me “Solar Pro” nga Bullgaria në anën tjetër. Partnerët privatë të ESM do të paguajnë një tarifë për partneritetin publiko-privat në masën e duhur për 18% dhe 18.50% të energjisë elektrike të prodhuar në orë. Nga këto investime shteti pritet të fitojë rreth 1.5 milionë euro në vit.

Qeveria e miratoi Strategjinë e re për Zhvillimin e Energjisë deri në vitin 2040, e cila bazohet plotësisht në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe filloi menjëherë zbatimin e saj. Nëpërmjet konceptit të Investimeve Strategjike janë parashikuar mbi 1000 MW në projekte për ndërtimin e termocentraleve fotovoltaike dhe termocentraleve të erës me kompani të njohura që vijnë nga BE-ja, si “AKUO” nga Franca dhe “WPD” nga Gjermania që janë kompani lider në Evropë për zhvillimin e projekteve nga burime të energjisë së ripërtërishme.

Procedura për ndërtimin e Çebrenit është në fazën e dytë, presim deri nga mesi i vitit të miratohet vendim për zgjedhjen e ofruesit më të favorshëm. Projekti më i rëndësishëm për tranzicionin energjetik në Republikën e Maqedonisë së Veriut më në fund do të vijë deri në fazën e realizimit.

Në kohë krize, ne ndërmarrim hapa të guximshëm dhe projekte investimi që transformojnë sistemin energjetik dhe synojnë përdorimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë, pavarësinë energjetike dhe mbrojtjen e mjedisit. Në këtë kontekst, dua të theksoj se ne mbështesim Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane për një ekonomi të qëndrueshme, duke i kthyer sfidat klimatike dhe mjedisore në mundësi dhe një tranzicion të gjelbër, nga i cili do të përfitojnë si shteti, ashtu edhe qytetarët.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se ndërprerja e thëngjillit dhe kalimi në burimet e rinovueshme do të përfundojë brenda dhjetë viteve dhe se ekonomia do të bëhet neutrale ndaj klimës deri në vitin 2040.

Më herët, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini tha se afati i daljes nga thëngjilli do të shtyhet deri në 2030 nga 2027.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila dha një kredi prej 5.9 milion euro për Oslomej 1, vuri në dukje se projekti prej 8.7 milion euro përfshin një grant prej 1.6 milion euro nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

EBRD tha gjithashtu se po punon me ESM për të investuar në termocentrale shtesë diellore. Huadhënësi miratoi gjithashtu financimin për zgjerimin e termocentralit në Oslomej dhe ndërtimin e një termocentrali të ri në Manastir për një kapacitet total të kombinuar prej 30 MW. BE-ja po mbështet gjithashtu investimin me një grant investimi prej 5.1 milionë euro.

Tani për tani ekziston vetëm një termocentral tjetër diellor i mesëm në vend – njësia 5 MW e EVN Maqedonisë afër Negotinës./Motilokal.com