Në portin e Sarandës ka mbërritur sot kroçera “Silver Moon”, 213 metra e gjatë dhe 30 metra e gjerë, me 387 turistë në bord dhe flamur të Bahamas.
Kjo anije është me 40,700 ton bruto dhe me një kapacitet për të akomoduar 596 pasagjerë në bord, është një nga më luksozet në të gjithë botën.
Kryeministri Edi Rama theksoi se “ndalet në Sarandë dallëndyshja e parë që lajmëron ardhjen e sezonit më të bukur e më të pastër turistik deri më sot! Mbarësi”.
Gjatë ceremonisë së pritjes së turistëve, Drejtoria e Portit u ka rezervuar një pritje shumë të ngrohtë duke u ofruar njohjen me kulturën dhe folklorin e zonës dhe Sarandës.
Gjatë zbritjes turistëve u janë shpërndarë broshura me informacion të vendeve turistike të Sarandës dhe zonës në përgjithësi, si dhe një suvenir nga porti. Drejtoria e Portit dhe kapiteni i kroçerës kanë shkëmbyer suvenire mes tyre.
I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, Saranda është e rrethuar nga kodra dhe përballë saj ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëravjeçare./Motilokal.com






