Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) rishikoi parashikimin e saj për kërkesën globale të gazit natyror të këtij viti me 50 miliardë metra kub për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Sipas Raportit të Tremujorit të Dytë të Tregut Global të Gazit të IEA-së, lufta do të shkaktojë tkurrje të ofertës dhe çmime të larta të qëndrueshme në tregjet ndërkombëtare të gazit natyror.
Duke pritur një rënie të kërkesës globale për gaz natyror për shkak të luftës, IEA rishikoi parashikimin e saj për kërkesën për gaz të këtij viti në rënie me 50 miliardë metra kub.
IEA pret që kërkesa për gaz natyror këtë vit të ulet me 0.2 për qind krahasuar me vitin 2021, për të arritur në 4,086 miliardë metra kub.
Kërkesa globale për gaz natyror u rrit me 4.5 për qind në vitin 2021 krahasuar me një vit më parë.
50 miliardë metër kub në fjalë korrespondojnë me rreth gjysmën e sasisë së gazit natyror të lëngshëm (LNG) të eksportuar nga SHBA-ja vitin e kaluar, transmeton Anadolu Agency.
Këtë vit, kërkesa për gaz natyror në Evropë pritet të bjerë me 6 për qind ndërsa kërkesa në Azi pritet të rritet me 3 për qind. Rritja e parashikuar në Azi është më pak se rritja prej 7 për qind e vitit të kaluar.
Drejtori i Tregjeve të Energjisë dhe Sigurisë së IEA-së, Keisuke Sadamori tha në vlerësimin e tij për raportin se lufta shkaktoi një krizë të madhe furnizimi me energji dhe siguri.
"Zgjidhja e përhershme do të jetë përshpejtimi i zgjidhjeve të efikasitetit të energjisë dhe kalimi në burime me karbon të ulët", tha ai.
Rusia është furnizuesi më i madh i gazit natyror në Bashkimin Evropian me 33 për qind vitin e kaluar. Kjo normë në vitin 2009 ishte 25 për qind./Motilokal.com
