Beteja globale se kush do të merret me plehrat e botës po vazhdon. Pasi Kina ndaloi importin e mbetjeve plastike në vitin 2019, vende të tjera aziatike janë zgjeruar në sektorin që mbart rrezikun e natyrshëm të ndotjes së ajrit, tokës dhe detit.
Ndërsa riciklimi i mbetjeve plastike të huaja mund të jetë fitimprurës, mungesa e rregulloreve dhe mbikëqyrjes kanë shkaktuar një mori problemesh në vendet pritëse. Pasi Kina u tërhoq, Vietnami dhe Malajzia u bënë disa nga importuesit më të mëdhenj të mbetjeve plastike në Azi, ndërsa Turqia gjithashtu u shfaq në skenë si një importues neto i mbetjeve plastike në Evropë. Shumica e plastikës që mbërrijnë në Azi dërgohen përmes Hong Kongut.
Ekspertët presin që rrjedhat e mbetjeve plastike të eksportuara nga vendet e industrializuara të vazhdojnë të zhvendosen drejt vendeve ku rregulloret nuk janë (ende) në fuqi. Shumica e mbetjeve plastike vijnë nga vende si Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe Franca, të cilat ishin ndër eksportuesit më të mëdhenj neto të skrapit dhe mbetjeve plastike në vitin 2020. Gjermania, një eksportues i madh në vitet e mëparshme, nuk raportoi asnjë shifër në vitin 2020. Sipas të dhënave të marra nga platforma “Comtrade” e OKB-së, Japonia dërgoi pothuajse 821,000 ton jashtë vendit në atë vit, ndërsa nuk importoi pothuajse asnjë mbetje plastike të huaj, duke rezultuar në eksporte neto prej rreth 819,000 ton. SHBA ishte përgjegjëse për eksportet neto prej më shumë se 206,000 ton, ndërsa Franca arriti në rreth 189,000 ton./Motilokal.com
